Zbatimi i ligjit antiduhan, takim i inspektoriateve për ecurinë e mëtejshme të punës

zbNën kujdesin e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sot u zhvilliua një takim me institucionet përgjegjëse, që Ligji nr. 9636, datë 6/11/2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” i ndryshuar,” ose të njohur ndryshe edhe si Ligji Antiduhan,  i ngarkon  për kontrollin dhe zbatimin e tij. Në takimin e drejtuar nga Zv/ministri i Shëndetësisë,  Klodian Rjepaj, ishin të pranishëm Kryeinspektori i Përgjithshëm Shtetëror,  Ilir Zela,  Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Eltar Deda, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit), Arif Bakaj, Kryeinspektori i Inspektoratit të Arsimit, Bashkim Muça etj.

Në takim  theksi kryesor ishte bashkërendimi, njohja me kompetencat dhe raportimi i punës pranë Inspektoratit të Përgjithshëm Shtetëror në lidhje me prezencën dhe detyrimet që rrjedhin nga ligji.

Zv/ministri Rjepaj theksoi se është e rëndësishme  që të përçohet në publik mesazhi se zbatimi i ligjit është detyrë e institucioneve shtetërore dhe serioziteti i kryerjes së punës për ligjin në fjalë është domosdoshmëri dhe prioritare.

Rjepaj tha ndër  të tjera se “zbatimi i ligjit antiduhan është, veç të tjerash, një çështje madhore e mbrojtjes së shëndetit publik, si dhe një problem social-kulturor, prandaj, për këtë qëllim është i nevojshëm angazhimi i të gjithë strukturave, duke synuar edhe përgjigjen qytetare ndaj shkeljes së ligjit, që do të thotë jo vetëm ekzekutimi i gjobave, por edhe pjesëmarrje aktive qytetare në zbatim të ligjit antiduhan.” Nga  kryeinspektori i Përgjithshëm,  Zela, u nënvizua rëndësia që ka informimi i përmuajshëm rreth ecurisë së punës për zbatimin e këtij ligji nga të gjithë inspektoriatet. Një pasqyrë e përgjithshme rreth ecurisë dhe problematikës së punës së deritanishme u trajtua nga Kryeinspektori i ISHSH-së, Deda, i cili vuri theksin në respektimin e ligjit, në shkallën e lartë të profesionalizmit dhe evokimin e parimeve të etikës qytetare gjatë inspektimit të çdo subjekti dhe rritjen e shkallës së vetëdijes se puna fillon në rradhë të parë nga vetë grupet e punës duke inspektuar institucionet e varësisë dhe duke përcjellë një frymë edukuese në zbatimin e ligjit. Në përfundim të takimit u la për detyrë ngritja e grupeve inspektuese të veçanta të përbëra nga të gjithë institucionet e parashikuara në ligj dhe realizimi i takimeve ndërinstitucionale periodike.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment