Yunus Social Business Albania nis Programin e Përshpejtimit të Biznesit

yousnusYunus Social Business Albania (YSBA), në bashkëpunim me UNDP, Agjencinë Austriake për Zhvillim, Ministrinë e Cështjeve Sociale dhe Rinisë si dhe një serë organizatash të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare , nis edicionin e dytë të Programit të Përshpejtimit të Biznesit (Accelerator Program), i cili do të mbahet gjatë periudhës Nëntor 2014 – Shkurt 2015. Ky program është një mundësi unike për sipërmarrësit e rinj që të zhvillojnë aftësitë personale dhe të lidershipit, të vënë në provë idetë e tyre të biznesit, të marrim formim profesional në fushën e sipërmarrjes, të përfitojnë mentorim nga ekspertë kombëtar dhe ndërkombëtar, të sigurojnë akses direkt në një komunitet personash, sipërmarresish dhe  biznesesh inspiruese si dhe mbështetje për projektet më të mira. Programi do t’i sjellë bashkë aplikuesit e perzgjedhur me ekspertë nga një sërë sektorësh dhe sipërmarrës të suksesshëm nga Shqipëria, rajoni dhe Europa. YSB Albania është pjesë e rrjetit botëror të Yunus Social Business, dhe sakaq ka ndihmuar në krijimin dhe financimin e një numri biznesesh sociale të suksesshme. Ajo ka mbështetur shumë sipërmarrës aspirantë me trajnime, kualifikime profesionale dhe këshillim intensiv, si dhe me akses në rrjetet vendore dhe botërore.

Aplikimi për Accelerator Program është i hapur nga 20 Shtatori deri në 20 Tetor 2014 për sipërmarrës të interesuar dhe sipërmarrës aspirantë nga Shqipëria dhe Kosova. Ata duhet të jenë të interesuar të zhvillojnë nismat e tyre të biznesit në një prej katër sektorëve me mundësi të lartë për impakt shoqëror: (i) Bujqësi, (ii) Mjedis, (iii) Turizëm dhe (iv) Teknologji e Informacionit. Nismat e pranueshme të biznesit mund të jenë në fazë ideje, planifikimi fillestar, në fazën e nisjes së aktivitetit apo në fazë zhvillimi. Aplikimet bëhen duke plotësuar formularin elektronik në platformën e aplikimeve: www.hapide.com.

Me synimin për të informuar, frymëzuar dhe ndihmuar aplikuesit në zhvillimin e aplikimeve dhe ideve të biznesit , do të mbahen katër aktivitete të veçanta gjatë periudhës së aplikimeve. Tre do të zhvillohen në Shqipëri, përkatësisht një për Bujqësinë dhe Mjedisin, një për Turizmin dhe një për Teknologjinë e Informacionit; si dhe një aktivitet përmbledhës në Kosovë. Këto aktivitete do të jenë një mundësi shtesë për aplikuesit që të ndajnë idetë e tyre me ekspertë dhe sipërmarrës të tjerë aspirantë si dhe për të marrë këshillim më të thelluar në përgatitjen e aplikimeve. Më shumë informacion mbi datat dhe vendndodhjen e këtyre aktiviteteve gjendet në www.hapide.com ose www.yunussb.al

“Yunus Social Business ëshë i angazhuar për të sjellë një model të ri sipërmarrjeje në Ballkan me synimin e zgjidhjes së problemeve të rajonit dhe krijimin e sipërmarrjeve të reja, frymëzuese”, thotë Z. Shkëlzen Marku, Drejtor i Yunus Social Business Albania. Z. Marku vëren se një sipërmarrje e tillë kuptimplotë mundet të lulëzojë vetëm në një mjedis të përshtatshëm bashkëpunimi dhe shkëmbimi të ideve. “Ne kërkojmë nga brezat e rinj që të besojnë në sipërmarrje, dhe po i mbështesim ata duke krijuar modele të besueshme frymëzimi dhe një komunitet të orientuar drejt zhvillimit”, thekson ai.

YSB çel fonde-inkubimi nëpër botë, duke i ndihmuar njerëzit në vendet në zhvillim, përmes formave të posaçme të mbështetjes, për të ndërmarrë nizma biznesi me impakt social dhe për t’u bërë sipërmarrës të suksesshëm. YSB është bashkëthemeluar nga Laureati i Çmimit Nobel për Paqen Prof. Muhammad Yunus, i vlerësuar për angazhimin e tij botëror në luftën kundër varfërisë përmes përmirësimit të aksesist në financime dhe inicimit dhe mbështetjes së modeleve të suksesshme të biznesit social në vende të ndryshme të botës.

Një biznes social ka si mision të kontribuojë në zgjidhjen e një nevoje shoqërore apo mjedisore në një mënyrë financiarisht të qëndrueshme. Është një kompani që nuk shpërndan fitim, e krijuar për të zgjidhur një problem shoqëror, ndaj përfitimet riinvestohen në të njëjtin apo në një tjetër biznes social. Ky model biznesi ka dhënë rezultate të mira në shumë vende, duke u vlerësuar si një model që ndikon në zhvillimin lokal, duke siguruar punësim dhe kualifikime, duke ulur varfërinë dhe duke kontribuar në progresin tërësor ekonomik.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment