Kryeministri serb Aleksandër Vuçic, ka premtuar libra shqip për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Këtë e ka raportuar agjencia Presheva Jone, ndërkohë shqiptarët e Preshevës kanë parashikuar bojkot të mësimit për ditën e nesërme, që është dhe dita e parë e shkollës.
Nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të hënën do t’i kenë librat në gjuhën shqipe, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Nxënësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë paralajmëruar se të hënën, ditën e parë të vitit të ri shkollor, do të pezullojnë mësimin nga ora 10 deri në orën 12, për shkak të mungesës së librave në gjuhën amtare. Kështu kanë vendosur përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtetin lokal dhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme.
Ata kanë thënë se, në këtë mënyrë, duan t’u dërgojnë mesazh autoriteteve në Beograd, të cilat përsëri kanë shkelur premtimet e tyre se për nxënësit shqiptarë do të përgatiten me kohë tekstet për ato lëndë që mungojnë.
Megjithatë, siç raporton Presheva Jone, nga Ministra e Arsimit e Serbisë ka ardhur informacioni se ministri Srxhan Verbiç, ditën e parë të shkollës, nga ora 8 deri në 10, filloristëve, edhe serbë, edhe shqiptarë në Bujanoc, do t’iu ndajë libra falas