Vlorë- Trajtimi i mbetjeve urbane, nisin procedurat e konkretizimit të projektit

vlorePas një “odiseje” më shumë se 10 vjeçare, projekti i grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane në Vlorë, po hyn në rrjedhën e procedurave të konkretizimit.

U zhvillua një takim i përbashkët me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, Bankës Gjermane KFW, ku u saktësuan elementët e zbatimit të projektit, ku përfshihet edhe vendi i ndërtimit të landfilldit. Sipas tij, ky projekt që financohet nga Qeveria Shqiptare, Qeveria Gjermane, Banka Gjermane KFW, do të nisë të zbatohet në një moment optimal, me përfundimin e procedurave përkatëse.

Për këtë, tha ai, u përcaktua edhe vendi i ndërtimit të landfilldit, që është zgjedhur një zonë në fshatin Sherishtë, 7 km në verilindje të qytetit, e cila përmbush të gjitha kriteret për projektin në fjalë.  Ky projekt, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 15 milionë euro, është një nga investimet më të mëdha në qytetin dhe Qarkun e Vlorës në këto 24 vite dhe zgjidh një nga problemet më të rëndësishme që lidhet me trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet bashkëkohore. Pjesë e financimit është edhe një fond prej 3 milionë eurosh për trajtimin e pikave aktuale të trajtimit të mbetjeve.

Për ta bërë sa më efektiv, projekti i trajtimit të mbetjeve urbane është përshtatur me standardet aktuale. Grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës, është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet komuniteti. Praktika aktuale e trajtimit të tyre është shumë larg standardeve të kërkuara. Vendhedhja aktuale, ndodhet në periferi të qytetit, por shumë pranë kufirit të banesave të fundit. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e popullimit të zonave periferike të Vlorës, nga fluksi i lëvizjeve demografike të pas viteve ’90-të. Nga ana tjetër, përpunimi i mbetjeve të ngurta shoqërohet me ndotje të mjedisit dhe pasoja të tjera të dëmshme. Ky shqetësim shtohet në periudhën e verës, kur rriten temperaturat dhe numri i popullsisë, për shkak të ardhjes së pushuesve

-Pak histori-

Në vitin 2004, Banka Botërore akordoi një fond prej 500 mijë USD për studimin e fizibilitetit të zonës ku do të ndërtohej një vendhedhje(landfilld) e re për mbetjet urbane të qytetit të  Vlorës dhe më gjerë. Ky studim u realizua nga një kompani e specializuar amerikane, e cila e përfundoi atë në vitin 2009. Ndërkohë, në vijim të zbatimit të procedurave për konkretizimin e këtij investimi, në vitin 2009, Qeveria Shqiptare akordoi 20 milionë lekë për hartimin e projektit, që përfundoi brenda atij viti. Kjo do të thoshte se, pas kësaj duhej të nisnin punimet për zbatimin e tij në terren, gjë që nuk ndodhi, megjithëse ndërkohë Banka Botërore kishte miratuar financimin e këtij investimi. Në realizimin e këtij projekti u përfshi edhe shoqëria civile, që përfaqësohej në një komision të përbashkët lokal, i përbërë edhe nga specialistë të disa institucioneve.

Por, megjithëse kanë kaluar 10 vjet nga nisja e procedurave për ndërtimin e landfilldit, gjithçka ka mbetur “në vendnumëro”. Ky projekt nuk ka gjetur zbatim për shkak të disa vështirësive ku përfshiheshin konflikti për vendin ku do të ndërtohej.  Bashkia e Vlorës ka deklaruar gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij projekti, duke e bashkëfinancuar atë me një fond prej 200 mijë euro nga të ardhurat e saj. Por, për këtë qëllim, sipas drejtuesve të saj, ka qenë e nevojshme një vendimmarrje që i kalon kufijtë lokalë, për shkak të kundërshtimit të projektit nga komuna Qendër, që nuk e ka miratuar atë në territorin që administrohet prej saj.

Projekti në fjalë, është pjesë e planit perspektiv për menaxhimin e mbetjeve urbane në Vlorë, i cili do të zgjidhë përfundimisht edhe shqetësimet aktuale, që evidentohen në këtë drejtim. Pjesa kryesore e projektit, konsiderohet përzgjedhja e një vendhedhjeje(landfilld) të re për këto mbetje, ku do të instalohet teknologjia e përpunimit të tyre, në përshtatje me kërkesat bashkëkohore. Për këtë pikë, sipas studimit të fizibilitetit, është menduar paraprakisht një sipërfaqe prej 20 hektarësh.

Projekti i plotë i “landfilld”-it, që do të mbështetet nga Qeveria Shqiptare, Qeveria Gjermane, Banka Gjermane KFW, mendohet të ketë një vlerë financiare prej rreth 15 milionë euro dhe parashikohet të zbatohet i ndarë në dy faza, në një perspektivë disa vjeçare. Në fazën e parë të tij, përfshihet realizimi dhe përmirësimi i standardeve të grumbullimit, transportit dhe hedhjes së mbeturinave, ku veçohet mundësia e riciklimit të kategorive të caktuara të mbetjeve urbane, veçanërisht atyre me material plastik.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment