Vjedhja në BSH, Guvernatori Fullani rrezikon 7 vjet burg.

fullani6TIRANE-Pranga Ardian Fullanit. Njeriu që deri më dje konsiderohej si i “paprekshëm” dhe me një pushtet të “pakufizuar”, tashmë ndodhet në qelitë e paraburgimit, pas një urdhër- arresti të firmuar nga Gjykata e Tiranës me kërkesën e Njësisë Task-Forcë. Ndaj guvernatorit Fullani rëndon akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’, për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, për të cilën ai rrezikon deri 7 vjet burg.

Shtrëngimit të prangave nuk u ka shpëtuar as Inspektorja e Përgjithshme e BSH-së, Elivar Golemi, e cila refuzoi dy herë të paraqitej në Komisionin e Ekonomisë, ku u ftua të jepte shpjegime lidhur me skandalin që shpërtheu në Departamentin e Emisionit.

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se dy zyrtarët e lartë të Bankës Qendrore, për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të BSH. Me arrestimin e kreut të BSH-së dhe inspektores Golemi, numri i të dyshuarve shkon në 19 persona, ndërsa ende mbetet mister fakti se ku përfunduan 713 milionët e vjedhura. “Prokuroria po vijon me hetimin e kësaj çështjeje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur”, – tha Fjorida Ballauri.

Shkeljet e Fullanit
Në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë, të filluar në muajin korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të këtij institucioni, për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasi Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhej të trajtonte drejtpërdrejt administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve procedurale për përdorimin e mjeteve financiare.

Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës Nr. 13, datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të Departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cenimin e parave.

Së treti: Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.

Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën, nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.

Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person nën hetim për “shpërdorim detyre”, në kuadër të këtij procedimi penal.

Shkeljet e Golemit
Nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasja Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores së Departamentit të Kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.

Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.

Së treti: Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim financiar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja.
Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në Arkën për Veprim dhe në Arkën Stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave

Submit a comment