Venezuela në tërmet humanitar

Sipas një parashikimi të Kombeve të Bashkuara 5.3 milionë banorë të Venezuelës do të largohen nga vendi deri në fund të vitit të ardhshëm për t’i shpëtuar krizës politike dhe ekonomike.

Këto gjetje u përfshinë në një plan-përgjigje rreth migrimit më të madh të njerëzve që ka prekur Amerikën Latine në historinë e kohëve të fundit. Plani u hartua nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

 “Po përballemi me një tërmet humanitar,” tha Eduardo Stein, përfaqësuesi special i UNHCR-IOM-it në Venezuelë, gjatë një konference për shtyp të mbajtur të premten në Gjenevë.

Rreth 2.3 milionë venezuelas janë larguar nga vendi që nga viti 2015 dhe rreth 2 milionë të tjerë parashikohet të largohen vitin e ardhshëm. Një total prej 3.3 milionë personash jeton aktualisht jashtë vendit.

Shefi i UNHCR-së Filippo Grandi tha se arsyet e këtij eksodi lidhen me “urinë, dhunën dhe mungesën e sigurisë”.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar 738 milionë dollarë për të ndihmuar Venezuelasit e zhvendosur si dhe vendet që po i strehojnë ata.

Në Venezuelë ndodhen disa nga rezervat më të mëdha të naftës në botë, por vendi vazhdon të tretet nga kriza ekonomike.

Në nëntor inflacioni u rrit me 1.3 milionë për qind, njoftoi të hënën Asambleja Kombëtare e cila kontrollohet nga opozita. Gjetjet përputhen me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili tha se inflacioni ka gjasa të kalojë shifrën prej 1 milion për qind në vitin 2018.

Një sërë verpimesh autoritare të ndërmarra nga qeveria e majtë e Presidentit Nikolas Maduro kanë sjellë për pasojë vendosjen e sanksioneve ekonomike nga ana e vendeve të tjera, përfshirë këtu dhe Shtetet e Bashkuara./voa

Submit a comment