Turqia dhe Greqia, hapa simbolikë por të rëndësishëm, që i afrojnë më shumë dy vendet


Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481
5 minute read
Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481

Nga Metin Gurcan “Al-Monitor”

Vizita e fundit e kryeministrit grek Aleksis Cipras në Turqi, ngjalli interes të madh në të dyja vendet. Megjithëse kjo ishte vizita e tretë e Ciprasit në Turqi, qëkur u zgjodh kryeministër në vitin 2015, ajo ishte vizita e tij e parë në Ankara, ku u prit miqësisht nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.  Udhëheqësi grek, udhëtoi më pas drejt Stambollit. Pjesa më e madhe e vizitës së tij në Stamboll më 5 shkurt, ishte vizita në Seminarin Hejbeliada Halki, shkolla teologjike ortodokse greke, e mbyllur që nga viti 1971. Ai tha se rihapja e kësaj shkolle, do të ishte një “shenjë miqësie”.

Për habinë e shumë njerëve, Cipras vizitoi gjithashtu edhe kishën ortodokse brenda seminarit dhe ndezi një qiri, pavarësisht qasjes së tij laike në qeveri, dhe mori pjesë në një meshë të shkurtër të kryer nga Patriarku Bartolomeu në Kishën Hagia Triada (Kisha e Trinisë së Shenjtë).

Lejimi i Cipras për të vizituar Seminarin Halki, ishte një çështje e rëndësishme simbolike, që sigurisht do të rrisë reputacionin e tij para opinionit publik grek. Cipras vizitoi gjithashtu muzeun historik, Hagia Sofia, i cili gjithashtu i tërhoqi vëmendjen, i shoqëruar nga zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin.

Burimet të brendshme, i thanë “Al-Monitor”, se në këmbim të këtyre gjesteve të mëdha, Erdogan kërkoi mbështetjen e Cipras për kërkesën e ardhshme të Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e planifikuar pas zgjedhjeve lokale të 31 marsit.

Sipas të njëjtave burime, që nuk donin të identifikoheshin, vizita e Cipras dhe pritja e ngrohtë ndaj tij, mund të jetë preludi i një periudhe të re të “muaji të mjaltit” midis dy vendeve, pavarësisht tensionit të militarizuar midis Ankarasë dhe Athinës.

Problemi i Qipros, kufijtë detarë në Mesdheun lindor, ujërat territoriale dhe kontestet e zonave ekonomike ekskluzive, si dhe hapësira ajrore, janë ndër problemet kryesore midis dy kryeqyteteve.

Në sferën politike, duhet të zgjidhen edhe mosmarrëveshjet diplomatike: problemet lidhur me minoritetin turk në Greqi, grekët në Turqi, dhe faktin që Greqia u ka dhënë azil turqve, të cilët Turqia i akuzon për  krime terroriste.

Koha e vizitës, ishte gjithashtu e rëndësishme. Dorëheqja e ministrit nacionalist grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos, i ka krijur Ciprasit hapësirë për të manovruar në marrëdhëniet me Turqinë.

Kammenos, udhëheqës i Grekëve të Pavarur, ANEL, është i njohur për qëndrimin e tij të pakompromistë ndaj Turqisë. Për më tepër, Cipras është një udhëheqës me ndikim, karizma e të cilit ishte e dobishme në zgjidhjen e konfliktit 27-vjeçar midis Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë.

Zgjidhja e këtij problemi, i dha gjithashtu atij një liri veprimi për të trajtuar çështjen e Qipros, që po zgjat prej dekadash. Cipras është tashmë në gjendje t’i thotë publikut grek, se ndikimi i Greqisë dhe fuqia e tij diplomatike në rajon, është duke u rritur.

Një arsye tjetër e rëndësishme për vizitën e Cipras, ishte ajo ekonomike. Të dy fqinjët, po përballen me probleme ekonomike të përbashkëta, dhe janë duke u përqendruar në ndërtimin e linjave të reja të transportit, dhe projektet e turizmit.

Në fakt, një vëmendje e veçantë iu kushtua fillimit të lidhjeve detare midis Turqisë bregdetare në Egje, dhe portit grek të Selanikut për lëvizjen e pasagjerëve dhe mallrave. Projekte të tjera, përfshijnë ndërtimin  e lidhjeve të shpejta hekurudhore midis Stambollit dhe Selanikut, dhe përfundimin e një urë të dytë në kalimin kufitar Ipsala, për të lehtësuar shkëmbimet në fushën e turizmit.

Një çështje tjetër e diskutuar, ishte ajo energjitike. Gazjellësi “Turkish Stream”, që do të transportojë gazin natyror rus përmes Detit të Zi në anën evropiane të Turqisë, dhe më tej drejt vendeve të BE-së, është parashikuar të kalojë në Greqi nga Turqia Perëndimore, më pas në Evropën Jugore dhe Qendrore, përmes territorin verior grek.

Projekti, i cili e anashkalon Ukrainën në transportimin e e gazit natyror nga Rusia në Evropë, kërkon bashkëpunimin mes Turqisë dhe Greqisë. Cipras ka lobuar seriozisht në Moskë, për të siguruar përfshirjen e Greqisë në projektin e “Turkish Stream”.

Moska mund të ketë sinjalizuar Ciprasin, se përmirësimi i lidhjeve me Ankaranë, është një parakusht për përfshirjen e Greqisë në këtë projekt. Por ndërsa Moska ndoshta është e lumtur me vizitën e fundit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Uashingtonin.

Ashtu si shumë analistë, edhe unë pyes veten nëse në muajt e ardhshëm Athina dhe Ankaraja, do të jenë në gjendje të përmirësojnë lidhjet e tyre, duke arritur një nivel suksesi në zgjidhjen e problemeve të tyre të ndërsjellta.

Për të marrë një përgjigje, ne do të duhet të presim vizitën e Erdoganit në Greqi. Unë besoj se nëse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet, do të arrijë një sukses të rëndësishëm në zgjedhjet lokale të marsit, ky sukses do t’i jepte Erdoganit 4 vite frymëmarrje dhe hapësirë, për t’u dhënë zgjidhjeve konflikteve të ngrira, duke përfshirë Qipron dhe mosmarrëveshjet me Greqinë mbi Egjeun.

Kështu, pas zgjedhjeve Greqia mund të jetë një nga ndalesat e para në rendin e ditës së presidentit Erdogan. Por ekziston edhe një pengesë e papërmendur: Ashtu si Cipras, i cili u lirua nga nacioalisti Kamenos, edhe Erdogan duhet të lirohet nga aleati i tij nacionalist – Partia e Lëvizjes Nacionaliste. Nëse realizohet kjo, vizita e Erdoganit në Athinë do të ketë një vlerë simbolike të jashtëzakonshme.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment