Treni nuk mund të lëvizë mbi binarë të thyer

shinaPo ndiqja një film, “Vetëgjyqësia” titullohej, që trajtonte historinë e dhimbshme të një njeriu, i cili kërkonte drejtësi me çdo kusht për familjen e tij të përdhunuar e të vrarë, e meqenëse nuk e arriti përmes gjykatave, ai luftoi ta vendoste vetë drejtësinë e mohuar, me vetëgjyqësi. Një histori shumë e dhimbshme, që nxit revoltë. Askush nuk dëshiron të ekzistojë si mënyrë alternative, vrasja për drejtësi, e jo vetëm, por madje as përmes vetëflijimit… Ky film më krijoi një lidhje zinxhir, me raste të tilla te ne, shpesh jo pa shkak, e patjetër edhe me debatin që po bëhet prej kohësh për reformën shumë të kërkuar në drejtësi, e cila me tolerimet, neglizhencat apo diçka tjetër, është shkak për konflikte të tilla. Ky debat sot ka marrë formën e një “lufte”, mes dy “kampeve”. E si gjithmonë, ndaj çdo reforme që iniciohet, ka një arsye standard kundërshtimi, cenohet pavarësia, madje kjo pavarësi, kërkohet edhe tej atyre që kanë të drejtën e miratimit. Pavarësi KLSH, pavarësi ILDKP, pavarësi banka, pavarësi AMA, pavarësi universitetet, pavarësi e tregut të lirë, pavarësi e organeve gjyqësore, pavarësi…, kërkojnë të gjithë që mbahen me taksat e qytetarëve, e pas gjithë kësaj pavarësie pa kufij, nuk e kuptoj, përse lodhemi të votojmë, përse na duhet qeverisja. Shpesh kjo pavarësi nënkupton e lidhet me emra të veçantë drejtuesish, madje duke u thirrur edhe institucionet me emrin e titullarit, edhe pse këta, shpesh nuk pyesin për qytetarin, që nuk ngurojnë ta thërrasin, atëherë kur u duhet, “sovrani”. A meriton një institucion që mbahet nga “sovrani”, të thirret, institucioni i X-it… Pse jo edhe ky legjitimim apo përkëdhelje, u jep të drejtën të “ëndërrojnë” pavarësi, që shtrihet deri në “mbretërimin” e institucionit… Edhe unë jam për pavarësi, por vërej dallim mes pavarësisë së institucioneve, ligjit dhe pavarësisë së të emëruarve. Më kishte rastisur shpesh, për shkak të punës që bëja, të takoja qytetarë të lodhur, në fakt të rraskapitur, të tjetërsuar, nga pritjet pafund, prej vitesh, për pronat e tyre. E megjithëse kërkonin të drejtat e tyre, kishin dalë të humbur, jo vetëm në drejtësi, por edhe në gjënë më të shtrenjtë, vitet e pakthyeshme të jetës së tyre, kohën. Jemi i vetmi vend që kohës nuk i japim i vlerë, apo ta dëmshpërblejmë. Zvarritje me apo pa të drejtë sjellin dhe raste makabre si ai i dy zonjave të moshuara në Durrës. Më ka ngelur në mendje historia e njërit. E fillova me shumë zell ndjekjen për pronat, meqenëse erdhi dita për t’i rimarrë. Isha në një moshë relativisht të re, fëmijët i kisha minorenë, e mendoja se u sigurova jetën me pronat që na kishte lënë babai… Sot fëmijët më kanë bërë gjysh, e unë përsëri pa i marrë, ndërsa në një televizion, akoma më e dhimbshme, një nënë fliste për djalin e vrarë… Megjithëse i dëgjoja, shpesh nuk u jepja të drejtë edhe pse kisha dëgjuar shprehjen, që shpesh njerëzit përdorin për urime te ne, “mos të rëntë për spital dhe gjykatë”, sepse nuk “guxoja” të besoja tek ekzistenca e drejtësisë së munguar, ndoshta edhe ngaqë nuk më kishte rënë të kisha “nevojë” për gjykatat… Nuk besoj se ka familje qoftë dhe nga informimet e mediave, që nuk janë, qoftë edhe në heshtje, pjesë e këtij debati të madh, tashmë të hapur, që po bëhet për reformat në drejtësi. Një ditë edhe unë “trokita” i detyruar, meqenëse nuk kisha rrugë tjetër në “derën” e gjykatës, duke kërkuar nga ajo të vendoste drejtësi, për largim të padrejtë nga puna… Kjo masë ndaj meje, në fakt, ishte ndëshkim për “mosbindje” ndaj disa elementeve që nuk i gjykoja të ligjshme, madje akoma më keq, kisha guxuar edhe t’i denoncoja. Siç duket kjo ishte mënyra e vetme, për zëvendësimin tim me të “preferuarin”, me atë që firmos çdo gjë që i vjen, për të ruajtur një vend pune, pavarësisht nga profesionalizmi apo “frika” ndaj ligjit. Në fakt, të tillët mbijetojnë… Për këtë, drejtuesit e mi, kishin zgjedhur datën 31 dhjetor 2012, natën e Vitit të Ri, për të bërë propozimin dhe për ta shpallur, por për fatin e keq të tyre, as datat e vendimeve nuk u korrespondojnë, me ato të protokolluara. Histori për të qeshur e për të qarë, sepse në datën që i kanë vënë vendimit, nuk kanë qenë jo vetëm drejtuesit në punë, por as shumica e punonjësve “elitarë”… E për këtë kam rreth dy vjet që bëj gjyq, megjithëse të gjitha provat që unë kam paraqitur, lexohen e janë të dallueshme pa ndonjë investigim të veçantë… Tani i mirëkuptoj ata që kanë probleme madhore… Ndoshta për këtë, mund të jetë dhe faji i ligjit, por edhe ky fakt, e bën më të domosdoshëm reformën në drejtësi, të cilën e konsideroj komplekse. Kjo reformë nuk është diçka që lidhet vetëm me mendje të “zgjuara”, ajo duhet të jetë konkrete, e të ndihet nga çdo familje apo individ. Kjo duhet të bëjë funksional postulatin kryesor të drejtësisë, nenin një të saj, të gjithë janë të barabartë para ligjit, e gjykatat t’i bëjë më të “thjeshta”, me këmbë në tokë, duke u konsideruar jo vetëm si institucione të frikës e dënimit, por si institucione ku vendoset drejtësia. Nuk di të komentoj elementet ligjorë, pse ndodh kështu, por që në momentin e parë të kontaktit me gjykatat, kam konstatuar mungesën e afateve të përfundimit të gjyqeve dhe të detyrimit kohor për zbardhjen e vendimeve të shpallura. Unë gjithmonë pyes përse mungon ky element kaq i rëndësishëm?… Dëgjoj që pro reformës në drejtësi, janë ata që janë në pushtet dhe kundër ata që kanë lënë pushtetin, shpesh për faktin se po e bëjnë pala tjetër. Histori e përsëritur, sepse politika tek ne riciklohet me anët më të shëmtuara të saj. E pranonte Berisha kur ishte Kryeministër, e pranoi Rama kur tha që opozita po më imiton mua, kur isha në opozitë… Nëse reforma në drejtësi është një sfidë ndaj drejtësisë së munguar, e të zvarritur, e aq më shumë ndaj korrupsionit në drejtësi, ajo është e mirëpritur dhe të gjithë e dëshirojnë. Në drejtësi ka edhe shumë njerëz me integritet moral dhe profesional, që admirohen dhe respektohen nga qytetarë të shumtë, edhe pse politika shpesh nuk i pëlqen. Do të ishte fatkeqësi, nëse reforma në drejtësi bëhet për të ndëshkuar emra të përveçëm, të këtij lloji… Por historia e zvarritjeve nuk është vetëm në dyert e gjykatave, ajo është metodë pune edhe në institucione të tjera, madje është kthyer në sistem. Reforma në drejtësi është një hallkë e rëndësishme dhe e domosdoshme jo vetëm nga ajo që tha z. Majko, që gjyqtarët kanë luksin të shkojnë të shohin edhe ndeshjet jashtë, e që nuk janë të vetmit, por kjo reformë duhet të jetë pararendëse e shkatërrimit të një sistemi të tërë të korruptuar e zvarritjesh, që e ka marrë peng këtë vend. Drejtësia shërben si binarë mbi të cilat ecën “treni” kundër krimit e korrupsionit, por treni nuk mund të lëvizë mbi binarë të thyer… Rregullimi i binarëve kërkon “luftë” të vendosur. Asnjë “luftë” nuk është e drejtë, por disa janë të domosdoshme…

AGIM BERISHA

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment