Tregu valutor – Leku forcon pozitat ndaj valutave kryesore

bankaNë tregun e këmbimit valutor vendas, këtë fillim jave leku ka forcuar pozitat ndaj valutave kryesore euro dhe dollarë, kundrejt pak ditëve më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, monedha amerikane këmbehet me 111.51 lekë ose 0.89 lekë më pak se në fundjavë, ndërsa monedha euro shkëmbehet me 139.22 lekë, duke humbur 0,03 lekë. Gjatë javëve të fundit, valutat e forta kanë pësuar një rënie të vazhdueshme ndaj lekut, veçanërisht dollari, favorizuar kjo edhe nga ecuria e bursave.

Rënia e euros dhe dollarit është një lajm i mirë për klientët e bankave që kanë marrë kredi në valutë dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi ata do të paguajnë më pak për këstet mujore.

Nga ana tjetër, efekte pozitive ndihen edhe në tregtinë e jashtme, pasi dobësimi i valutave ul vlerën e importeve që rrjedhimisht përkthehet me rënie të çmimeve në treg. Sipas raportit të publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë, leku ka vazhduar të mbiçmohet në terma nominalë efektivë edhe në tremujorin e tretë. Ky mbiçmim ka ritëm më të ngadaltë se në gjashtëmujorin e parë të vitit. Indeksi NEER51, i cili paraqet vlerën e monedhës vendase kundrejt atyre të vendeve kryesore partnere, ra në terma vjetorë me mesatarisht 1.0%, nga 2.2% që shënonte në periudhën janar-qershor 2014.

Mbiçmimi i monedhës vendase ndaj dollarit amerikan, veçanërisht gjatë muajve korrik-gusht, ishte faktori kushtëzues i ecurisë së këtij treguesi. Në terma realë, monedha vendase u mbiçmua me 1.9% në bazë vjetore. Për të njëjtën periudhë, diferenciali i inflacionit në vend me atë të vendeve partnere rezultoi në zgjerim, si pasojë e rënies më të shpejtë të inflacionit në vendet partnere tregtare të eurozonës. Mungesa e presioneve nënçmuese ndaj kursit të këmbimit është reflektuar edhe në indeksin e presioneve në tregun valutor, i cili ka vazhduar të pozicionohet nën mesataren e vet afatgjatë. Raporti ofertë/kërkesë për valutën e huaj shfaqet i balancuar.

Përballë zgjerimit të deficitit tregtar në terma vjetorë, të dhënat nga depozitat sinjalizojnë për një prurje më të lartë valutore. Në tremujorin e tretë, euro u nënçmua ndaj monedhës vendase me 0.4% në bazë vjetore, duke reflektuar kryesisht mungesën e sezonalitetit një vit më parë. Krahasuar me tremujorin e dytë, euro ka vazhduar të nënçmohet lehtësisht ndaj lekut (0.2%), duke përcjellë edhe sezonalitetin karakteristik të këtyre muajve. Gjatë muajit gusht, raporti euro/ lekë zbriti për herë të parë për vitin 2014, nën kuotën e 139.0 lekë. Në tremujorin e tretë, një dollar u këmbye me mesatarisht 105.42 lekë, duke u nënçmuar ndaj lekut me 0.5% në bazë vjetore.

Në linjë me trajektoren e kursit euro/dollar në tregjet ndërkombëtare valutore, nënçmimi vjetor i dollarit ndaj lekut ka rezultuar më i përmbajtur në muajin gusht (0.6%, nga 3.7% në muajin korrik). Pas vendimeve të BQE-së për lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare në muajin shtator, dollari u mbiçmua dukshëm ndaj monedhës
vendase me përafërsisht 3.2%, në krahasim me tremujorin e kaluar.

Submit a comment