Totozani: Korrupsioni, ende një fenomen i përhapur, kërkon masa të veçanta dhe specifike

totoyaniNë punimet e Sesionit të 27-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, të mbajtur në Gjenevë (Zvicër), në kuadër të Rishikimit Periodik Universal, u trajtua edhe situata e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, mbajti fjalën pranë Këshillit nëpërmjet një videomesazhi në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ku theksoi se në Shqipëri “korrupsioni mbetet ende një fenomen i përhapur, që kërkon masa të veçanta dhe specifike”.

Më tej, Totozani u shpreh se, pavarësisht përmirësimeve, konsolidimi i shtetit të së drejtës përbën gjithnjë një sfidë, ku ai veçoi, harmonizimin e legjislacionit kombëtar më atë ndërkombëtar dhe veçanërisht zbatimin e tij, rritjen e kapaciteteve dhe të pavarësisë së institucioneve të pavarura, përfshi këtu edhe Avokatin e Popullit, si dhe zbatimin e rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit

Më në vecanti, vijoi Totozani, “në punën e përditshme, duhen dyfishuar përpjekjet për forcimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes sociale, me qellim që të parandalojmë shfrytëzimin e punës së të miturve dhe të luftojmë shkaqet e shfaqjes së këtij fenomeni. Nevoja e mungesës së një ligji për minoritetet është ndjerë gjithashtu. Legjislacioni në fuqi ofron një barazi formale, por nuk garanton barazinë substanciale të minoritetit rom”.

“Përsa i përket gjakmarrjes, zgjidhje e drejtë do të ishte një qasje proaktive për të luftuar shkaqet e këtij fenomeni dhe jo vetëm pasojat. Përsa i përket të persekutuarve nga regjimi komunist, ka cështje që nuk kanë gjetur ende zgjidhje, si p.sh. afati i kompensimit, hapja e arkivave/dosjeve të komunizmit, si dhe gjetja e personave të zhdukur gjate asaj periudhe”, tha Avokati i Popullit.

Sipas tij, “dhuna ndaj grave, kërkon konsolidimin e mekanizmave specifike”. Në këtë kuptim, vijoi Totozani, “koordinimi ndërmjet institucioneve qëndrore dhe atyre lokale, duhet të përmirësohet”.

“Pavarësisht përmirësimit të kushteve në vendet e kufizimit të lirisë”, shtoi Avokati i Popullit, “infrastruktura dhe mbipopullimi, e bëjnë të vështirë integrimin social të të dënuarve. Emergjente është nevoja për zgjidhjen e problemit të personave për të cilët gjykatat kanë urdhëruar shtrimin në spital psikiatrik, por që vazhdojnë të mbahen akoma në spitalet e burgjeve”.

Gjithashtu, Totozani është shprehur se, “gjendja juridike e pronës private vazhdon të jetë ndër problematikat më te mprehta, duke perfshirë edhe zgjatjen e proceseve gjyqësore, si dhe moszbatimin e vendimeve të gjykatave”.

Përsa i përket personave me aftësi të kufizuara, Avokati i Popullit ka theksuar se, “situata ekonomike që kalon vendi nuk duhet të lejojë uljen e standardeve të arritura. Perfaqësimi i personave me aftësi të kufizuara është gjithashtu një çështje mjaft e rëndësishme”.

“Përsa i përket të drejtave të personave LGBT, janë bërë përmirësime legjislative, por mbetet mjaft për të bërë, vecanërisht në zbatimin e legjislacionit”, ka thënë Totozani.

Në ditët në vijim, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së do të miratojë dhe rekomandimet përkatëse për Shqipërinë me qellim përmirësimin e standarteve të të drejtave të njeriut në vend.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment