Tirana rinis stërvitjen pas humbjes në derbi

tiranaLojtarët e skuadrës bardheblu nisën në mesditën e së mërkurës punën përgatitore për ndeshjen e radhës.

Humbja në derbi ka lënë shije të hidhur në kampin e Tiranës ku pas një dite pushim, të gjithë lojtarët janë rikthyer nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Lojtarët e skuadrës bardheblu nisën në mesditën e së mërkurës punën përgatitore për ndeshjen e radhës edhe pse zhgënjimin e derbit nuk mundën ta fshehin nga fytyrat e tyre. Ndryshe nga ditët përpara derbit atmosfera në “Skënder Halili” ishte e qetë, ndërsa klubi ka vendosur të qëndrojë në heshtje shtypi.

Grupi i lojtarëve u mblodh rreth trajnerit Gugash Magani, i cili e nisi stërvitjen me një analizë që zgjati rreth 30 minuta. Pasi analizoi në detaje situatën, Magani e la të lirë skuadrën për të nisur punën me një seancë vrapi, për të vazhduar më tej me përgatitjet takike.

Ndeshjen e radhës skuadra kryeqytetase do ta luajë të shtunën në orën 13:00 në “Qemal Stafa” ku do të presë Skënderbeun. Takimi i fazës së parë mes dy skuadrave përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa aktualisht diferenca në klasifikim mes dy ekipeve është vetëm një pikë në favor të kampionëve.

Submit a comment