Tërheqja nga Siria, si do të ndikojë vendimi i SHBA për kurdët

Vendimi i Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, ishte një goditje e fortë për kurdët, të cilët i le sot të ngecur mes Turqisë, Assadit dhe ISIS-it.

Me mbështetjen e Amerikës, njësitë kurde të mbrojtjes se popullit arritën të zmbrapsin ISIS-in në betejat brutale të Kobanit e Raqqa-së; pikërisht aty nisi të formëzohet mposhtja e shtetit të dhunshëm islamik.

Përkrahja e Washingtonit i dha shpresa kurdëve, qe shpallën në 2016-ten një sistem autonom federal, i cili edhe pse nuk u njoh zyrtarisht nga Asadi, Kombet e Bashkuara apo NATO-ja, pati përkrahjen “de facto” të Amerikës.

Por tani me tërheqjen e saj, autonomia kurde në Siri mund t’i ketë ditët e numëruara. Shumë shpejt pas njoftimit të Trumpit, Turqia siç tregojnë raportet në mediat vendase, ka nisur grumbullimin e trupave pranë një qyteti në veri të Sirisë te kontrolluar nga kurdët, dhe kjo pavarësisht premtimit të Ankarasë se do ta shtynte ofensivën e premtuar në lindje të Sirisë.

Erdoani pretendon se e ka diskutuar në telefon planin e tij me Trumpin dhe ka marrë përgjigje pozitive. Njësitë kurde YPG, që luftuan ISIS-in, Turqia i konsideron një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde që prej vitit 1984, e ndalohet në tokën turke si organizatë terroriste.

Amerika i ka braktisur kurdët edhe më parë, tha per Washington Post gjenerali Mazloum Abdi, komandant i forcave paraushtarake kurde SFD; tani pas njoftimit të Trump, ai thotë se do të përpiqet të hapë kanale bisedimi me rusinë dhe regjimin sirian për të mbushur kështu vakumin e lënë pas nga Amerika.

Submit a comment