Të rinjtë i kujtojnë Bashës premtimet e pambajtura ndaj tyre

protesteNë Ditën Kombëtare të Rinisë, gjimnazistët e Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë protestuan sot përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar kthimin e hapësirave publike të cilat janë pushtuar si dhe krijimin e hapsirave të reja në shërbim të komunitetit e në veçanti të të rinjve.

“Tre vjet më parë, asokohe kandidat për Kryetar  të  Bashkisë Tiranë, zoti Lulzim Basha na premtoi më shumë hapsira publike, hapsira të gjelbera dhe argetuese për qytetarët e Tiranës. Ndaj Sot, ne jemi këtu në kërkim të hapsirave që na u premtuan dhe që qytetarët e kryesisht ne të rinjtë meritojmë. Na u premtua shumë, por rezultatet e një vezhgimi që mund ta bejë secili prej nesh, tregon se hapsirat jo vetëm që nuk janë shtuar, por përkundrazi, janë minimizuar”, u shprehen të rinjtë në protestën para Bashkisë.

Ata i rikujtuan Kryebashkiakut Lulzim Basha premtimet për 10 kinematë, 11 bibliotekat si dhe terrenet sportive që duhet të ishin gati brenda vitit të parë të mandatit. Sikurse edhe premtimin se do të bëhet ulja e numrit të nxënësve në klasa në 30, si dhe zhvillimi i mësimit me vetëm një turn në shkollat e kryeqytetit.

Përpos këtyre, u shprehën të rinjtë, “ende nuk i kemi parë 20 qëndrat e reja sociale. Ende nuk ka asnjë masë të ndërmarrë nga bashkia kundër shfrytëzimit të fëmijëve në rrugë. Pastrimi i Tiranës, premtimet për studentët e shumë premtime të tjera të pambajtura, janë jo vetëm shqetësimi ynë, por edhe i çdo qytetari i cili, ka ardhur në këto zyra e nuk ka marrë kurrë përgjigje”.

Në përfundim nxënësit theksuan se 160 mijë qytetarë e subjekte nuk kanë marrë asnjë përgjigje për ankesat apo kërkesat e tyre, dhe ne nuk duam të jemi “një” ndër ta në këtë rast, por zëri i të gjithë atyre që nuk u dëgjuan kurrë. Ne kërkojmë zgjidhje dhe e duam atë tani, para se të jetë tepër vonë.

Submit a comment