Të drejtat e minoriteteve, Dule: Sanksionim në ligj, jo standarde të dyfishta

dulePBDNJ po zhvillon sot një tryezë me temë “Të drejtat e minoriteteve”, ndërsa kreu i kësaj partie, Vangjel Dule e vuri theksin tek respektimi i këtyre të drejtave. Ai tha se që këto të drejta të fillojnë të respektohen duhen sanksionuar në ligj, ndërsa apeloi të mos përdoren standarde të dyfishta.

“Ne iu përkasim atyre që jemi me lirinë dhe sundimin e ligjit. Jemi në vijën e parë të përpjekjeve të vendit tonë për atë ridimensionim, evropianizim të jetës së vendit tonë. Çështja e të drejtave të minoriteteve është e debatueshme, por duhen argumente dhe fakte”, tha Dule.

Sipas tij, “Raporti i fundit i progresit ai i vitit 2014 për Shqipëirnë i cili thotë Shqipëria paraqet një tablo të përzierë në lidhje me raportet me minoritetin”.

Dule u ndal të theksojë më tej se për minoritetin nuk ka një legjislacion bashkëkohor.
“Ne kemi dështuar si klasë politike herë nga vullneti, herë nga përvoja që ti kthejmë të drejtat në një realitet ligjor, pa këtë nuk mund të çojmë të drejtat e minoritetit në standarde të reja që kërkohen nga evropianët. Pa këtë realitet ligjor nuk mund të ruajmë marrëdhëniet ndëretnike në nivelin ekzistues dhe as ti kultivojmë më tej”.

“Politika përdor standarde të dyfishta dhe gjuhë të dyfishtë. Para europianëve sillen si nxënës të përkushtuat, ndërsa para popullit tonë si profesorë të ditur”, tha ai më tej.
Dule më tej veçoi tre aspekte që duhen plotësuar në lidhje me minoritetiet, si kuadri ligjor, strukturat implementuese dhe mentaliteti shoqërues.

Submit a comment