Takimi Meta-Péter Szijjártó: Fokus projektet e përbashkëta ekonomike

metaKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes Shqipërisë dhe Hungarisë si dhe ndjenjat miqësore tradicionale mes dy popujve tanë.

Meta, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë të Hungarisë në proçesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe fqinjëve të tjerë në rajonin tonë, theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve duhen intensifikuar më tej, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit, Meta, nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, mes grupeve reciproke të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe administratave të të dy institucioneve në shërbim të cilësisë së bashkëpunimit dypalësh. “Shqipëria i mirëpret investitorët hungarezë dhe Kuvendi i Shqipërisë do të intensifikojë përpjekjet së bashku me Parlamentin e Hungarisë për inkurajimin dhe konkretizimin e projekteve ekonomike mes dy vendeve tona mike”, u shpreh ai.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó, u shpreh se “Hungaria mbetet një mbështetëse e fuqishme e përshpejtimit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe promotore e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor duke inkurajuar politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian”.

Meta dhe Szijjártó ndanë bindjen se puna e përbashkët duhet fokusuar në konkretizimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës hekurudhore, menaxhimit të ujrave dhe bujqësisë, ku ekspertiza hungareze mund të jetë një kontribut domethënës, si dhe diskutuan mbi zhvillimet në rajon, duke theksuar rëndësinë e politikës së fqinjësisë së mirë dhe avancimin e të gjitha vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Submit a comment