Takimi Meta-Aliyev: Shqipëria portë hyrëse për investimet azere në rajon

metaKryeparlamentari shqiptar, Ilir Meta dhe ministri azerbajxhanas i Industrisë dhe Energjitikës, Natig Aliyev, gjatë një takimi mes tyre, ndanë bindjen se progresi i TAP-it dhe IAP-it e kthejnë Shqipërinë në portë hyrëse për investimet azere në rajon.

Në takim, Ilir Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit kanë rëndësi strategjike, duke marrë në konsideratë avancimin e Projektit TAP dhe IAP. Në këtë kuadër, ai shprehu mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin konkret të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy ministrive të energjitikës në funksion të gazifikimit të Shqipërisë ofron potenciale të mëdha zhvillimi për vendin në veçanti dhe rajonin në përgjithësi.

Ministri azerbajxhanas i Industrisë dhe Energjitikës, Aliyev, u shpreh se bashkëpunimi aktiv mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe gazit po thellohet gjithnjë e më tepër, duke nënvizuar se përmes projektit TAP, Azerbajxhani krijon një lidhje të fortë me Evropën dhe së bashku me Shqipërinë kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjitike të hapësirës evropiane.

Dy zyrtarët ishin të mendimit se investimet azere në rajon do të ofrojnë potenciale të shumta për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Në këtë drejtim Kuvendi i Shqipërisëdo të ofrojë mbështetjen e tij të plotë.

Në takim ishin të pranishëm zv/ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Khalaf Khalafov dhe Presidenti i kompanisë shtetërore azere të naftës, SOCAR, Rovnag Abdullayev.

Submit a comment