Takim Shqipëri-BE për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian

Seminari i katërt Shqipëri-BE mbi dialogun e politikave në lidhje me përfshirjen e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri, ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, për të diskutuar mbi problematikat dhe integrimin e tyre në sfera të ndryshme të shoqërisë.

Takimi i organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, kishte si synim vlerësimin e situatës aktuale për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian në shoqëri dhe institucionet e vendit si dhe ofrimin e zgjidhjeve për problemet aktuale me të cilat përballen këto komunitete.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në aktivitet tha se angazhimi i përfaqësuesve në nivele qendror dhe lokal, shoqërisë civile në këtë seminar është një vlerë e shtuar e dialogut për zbatimin e 5 prioriteteve të Bashkimit Evropian ndaj mbrojtje së të drejtave të njeriut, duke përfshirë komunitetin rom dhe egjiptian.

Sipas saj, përfshirja sociale e romëve dhe egjiptianëve është një nga prioritetet e axhendës së Qeverisë së Shqipërisë.

“Ne po implementojmë planin kombtar të veprimit për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian 2016-2020, i cili adreson problemet kyçe të dy minoriteteve duke filluar nga regjistrimi civil, arsimi, promovimi ndërkulturor, kujdesi shëndetësor, punësimi, strehimi dhe integrimi në jetën shoqërore të romëve dhe egjiptianëve. Për herë të parë ky plan veprimi përfshin planifikimin e buxheteve për zbatimin e çdo veprimtarie”, u shpreh Manastirliu.

Ajo tha se asgjë nuk bëhet ashtu siç duhet nëse pjesëmarrja e vetë përfaqësuesve të këtyre komuniteteve nuk është në tryezë kur vendoset për ndarjen e buxheteve, për politikat dhe shpenzimin e fondeve publike.

“Ne duhet të jemi të vëmendshëm që çfarë vendimesh marrim. Të gjitha ato elementë të platformës tonë për mirëqenien e qytetarëve, të ndahen, të ulemi në tryeza dhe të diskutojmë për të bërë më të mirën, sepse jemi mandatuar për të bërë më të mirën për qytetarët shqiptarë. Edhe këtë seminar e shikoj si një mënyrë shumë kreative dhe një vullnet politik për të ndarë së bashku atë çfarë kemi bërë në kuadër të angazhimeve të përbashkëta dhe për të parë se çfarë mund të bëjmë më mirë për të mbështetur strukturat dhe institucionet që kanë më shumë nevojë, siç janë bashkitë”, deklaroi Manastirliu.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, Avokatja e Popullit e Shqipërisë, Erinda Ballanca, përfaqësues të zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të Shqipërisë, përfaqësues të shoqërisë civile, studentë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit rom dhe egjiptian.

Submit a comment