Tahiri: Të kufizohet numri i kërkesave për azil në BE

tahiriMinistri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur pas takimit me Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe Theresa May për detajet e takimit dhe marrëveshjen e nënshkruar. Në një intervistë Tahiri ftoi shqiptarët të mos aplikojnë me kërkesat për azil në vendet e BE-së, pasi ato do të refuzohen nga autoritetet.

“E sigurova Ministren për angazhimin tonë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe për reformat që kemi ndërmarrë, si nga pikëpamja e forcimit të kontrollit në kufi, ashtu edhe nga pikëpamja e përcaktimit të protokolleve të standardizuara për identifikimin dhe luftën kundër viktimave të mundshme të trafikimit”, u shpreh ministri Tahiri lidhur me marrëveshjen e nënshkruar për Antitrafikun. Po ashtu, ai e informoi homologen britanike lidhur me rezultatet e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe terrorizmit.

Ai shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të frenohen në çdo iniciativë për të shkelur në vendet e BE me kërkesa për azil, sepse nuk do të pranohen. Nga ana tjetër Tahiri i kërkoi Ministres shkurtimin e procedurave te trajtimit të kërkesave për azil, pasi zgjatja në kohë e përpunimit të procedurave dhe e verifikimit shërben si një lloj ftese për ata që duan qoftë edhe të kalojnë atë periudhë kohe, që është shqyrtimi i kërkesës, në Britaninë e Madhe apo ne vende të tjera të Bashkimit Europian. “Ministrja më siguroi që janë duke riparë procedurën e vlerësimit të kërkesave për azil nga Shqipëria me qëllim klasifikimin e Shqipërisë si një vend prej nga nuk priten kërkesa për azil dhe shkurtimin e kohës së procedurës, në mënyrë që ne të procedojmë menjëherë me rikthimin e shtetasve që vijnë dhe kërkojnë azil në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe”, bëri të ditur ministri Tahiri.

Submit a comment