Skandal në SHBA, policia arreston njeriun me ngjyrë, duke e lidhur me litar

“Al Jazeera”

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, kanë shpërthyer protestat, pas një fotoje të publikuar në internet, ku 2 oficerë të bardhë policie, të hipur mbi kuaj shoqërojnë për në komisariat një zezak të lidhur me një litar nga pas, një skenë që risjell në kujtesë historinë e gjatë të dhunës, skllavërisë dhe racizmit kundër afro-amerikanëve, gjatë epokës së segregacionit.

Shefi i policisë së qytetit amerikan të Galvestonit në shtetin e Teksasit, Vernon Hejl, kërkoi ndjesë pas këtij incidenti. Por deklarata e tij publike, shkaktoi edhe më shumë kritika, për shkak se u cilësua e “mekët”. Hejl tha se njeriu më ngjyrë në foto, Donald Neli, që u arrestua të shtunën për kundravajtje, duhej të ishte dërguar në stacion me makinë policie, dhe jo nga 2 oficerë të hipur mbi kalë. Ndërkohë Neli u shoqërua në këmbë, me 2 duart e lidhura nga pas me një litar.

“Megjithëse kjo është një teknikë e mirë në disa skenarë, unë besoj që oficerët tanë shfaqën një gjykim të dobët në këtë rast”- deklaroi Hejl, në një deklaratë të botuar të hënën në Facebook. “Së pari, dhe ç’është më e rëndësishmja duhet t’i kërkoj ndjesë zotit Neli për atë moment të sikletshëm të panevojshëm”- deklaroi Hejl, duke shtuar se rregullorja është ndryshuar tashmë, në mënyrë që ajo teknikë të mos përdoret më.

Neli u lirua me kusht. Emri i tij nuk figuron në asnjë numrator telefonik, ndaj mediat nuk patën mundësi ta kontaktonin për ndonjë koment. Hejl i tha gazetës “Daily Neës Galveston”, se ai bisedon rregullisht me oficerët e tij, duke ua përsëritur herë pas here se veprimet e tyre në terren, ndikojnë në perceptimin që njerëzit kanë për departamentin e policisë.

“Ju duhet të jeni të vetëdijshëm për imazhet që ne transmetojmë tek njerëzit. Ne flasim mbi këtë sa herë që diskutojmë mbi përdorimin e forcës, apo mbi ndjekjet e automjeteve që janë në shkelje të ligjit”- theksoi ai.

Por deklarata e zyrtarit të policisë, ngjalli zhgënjim, me disa grupe aktivistësh që thanë se reagimi i tij ishte “i dobët”, dhe “i papërshtatshëm”. Në një intervistë për “Al Jazeera”, Kejborn Karson nga Universiteti i Stenfordit, tha se incidenti nuk ishte “vetëm një çështje trajnimi” i policëve.

“Cilido që ka informacionin më të vogël mbi historisë amerikane, do ta kuptonte implikimin e të parit të një njeriu me ngjyrë në atë pozicion. Ai moment, evokonte aspektet më të këqija të racizmit, duke na rikujtuar epokën e skllavërisë”-thotë Karson.

Të tjerët bënë thirrje që oficerët e policisë të penalizohen, ose të pushohen nga puna për “poshtërimin” e qytetarit Donald Neli, në një mënyrë të tillë, që të kujton aktet ekstreme të racizmit nga e kaluara e vendit, apo edhe kriminelëve të dënuar, që ekspozoheshin dikur në sheshet publike.

“Jemi në vitin 2019, dhe jo në vitin 1819”- u shpreh Xhejms Dagllas, presidenti i Shoqatës Kombëtare të Përparimit të Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) për gazetën “Houston Chronicle”. Ndërkohë Meri Patrik, presidente e degës së NAACP në Galveston, i tha gazetës “Daily Neës” të qytetit, se departamenti i policisë kishte detyrimin të shpjegonte për publikun veprimet e oficerëve.

Patrik, deklaroi me vonë se kishte biseduar personalisht me Hejl, dhe shefi i policisë mori mbështetjen e NAACP. Kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit, Beto O’Rourke, që është nga qyteti i Uest Teksasit, e denoncoi incidentin, duke shkruar në Tëitter:”Ky moment kërkon përgjegjshmëri dhe drejtësi. Dhe dhe me ndershmëri, duhet ta etiketojnë atë për atë që është:racizëm.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment