Situatë alarmante nga Gjuha Blu

deleSituatë alarmante nga Gjuha Blu, bagëti të ngordhura, të hedhura gjithandej në Kolonjë .

Situata në rrethin e Kolonjës është alarmante. Vetëm disa dhjetra metra nga fshati Borovë, ndodhen të hedhura prej më tepër se një muaji dele të ngordhura si pasojë e virusit Gjuha Blu, pranë lumenjve dhe përrenjve, të cilat kanë zënë krimba dhe insekte, duke u kthyer në përhapës të kësaj sëmundje vdekjeprurëse. 

Këto bagëti nuk janë groposur, por përkundrazi janë përhapur gjithandej, përpara se situata alarmante e përhapjes së Gjuhës Blu të pranohej nga autoritetet e Ministrisë së Bujqësisë. Sipas blegtorëve sëmundja ka filluar prej më tepër se një muaji, ndërkohë që konfirmimi zyrtarisht u bë vetëm në 10 ditëshin e fundit të muajit gusht. 

Më kritike gjendja paraqitet në fshatin Borovë, vetëm 4 km nga qyteti i Ersekës, ku blegtorët deklarojnë se raportimet zyrtare janë të pavërteta, duke hedhur akuza se nuk ka denjuar askush të shkojë për t’u interesuar për situatën në këtë zonë. Pano Shazo, njëri prej banorëve të zonës, i dëmtuar më shumë prej Gjuhës Blu, shton se delet e sëmura i kanë flakur të gjithë rrëzë lumenjve e përrenjve, duke qenë se nuk ka shkuar asnjë veteriner të interesohet mbi gjendjen. 

“Ca prej tyre janë të sëmura edhe tani. Kam 10 të sëmura këtu, ndërsa 19 më kanë ngordhur. Ka mbi një muaj që më kanë ngordhur bagëtitë. Jma interesuar veterinerët nuk kanë ardhur njëherë të shikojnë. I kemi flakur se nuk e dinim, pastaj na thanë që nuk duhen hedhur”, tha Pano. 


Disa ditë më parë, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë thanë se numri i bagëtive të prekura në të gjithë qarkun është vetëm 150, ndërkohë që po kaq të prekura e të ngordhura ndodhen vetëm në fshatin Borovë të Kolonjës, ku News24 vëzhgoi nga afër situatën.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment