Situata në BSH e Guvernatori i ri, Rama takim 30 minuta me Nishanin
Situata në Bankën e Shqipërisë por edhe emri i ri i Guvernatorit duket se ka nxitur kryeministrin Edi Rama për të zhvilluar një takim në Presidencë paraditen e sotme, pikërisht në një të dielë, që është ditë pushimi zyrtar.
Ende nuk është bërë e ditur se cili ka qenë qëllimi i këtij takimi të nisur rreth orës 11:30 minuta dhe që ka zgjatur gati 30 minuta.
Edi Rama, pas takimit me Nishanin doli nga ambientet e Presidencës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jo shumë larg zyrës së kryeministrisë.
Krerët e këtyre dy institucioneve të larta, Bujar Nishani dhe Edi Rama, u duhet të ndajnë pikëpamjet për situatën e re të krijuar në Bankën e Shqipërisë, pas arrestimit të Fullanit dhe shkarkimit të tij nga Këshillit Mbikëqyrës i këtij institucioni.
Çfarë ndodh në Bankën e Shqipërisë
Aktualisht Banka e Shqipërisë drejtohet nga një Guvernatore e komanduar Elisabeta Gjoni e cila u emërua nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës Qendrore ndërsa firmosi propozimin për shkarkimin e Ardian Fullanit i cili mbante këtë post deri më 6 shtator, një ditë pas arrestimit të tij në zyrat e BSH.
Komisioni i Ekonomisë miratoi kërkesën e Këshillit Mbikqyrës për shkarkimin e Fullanit i cili pritet të diskutohet në seancën parlamentare të së enjtes.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” në vitin 2002, në 5 nene të tij, është Presidenti i Republikës, ai që i propozon Kuvendit, emrin e Guvernatorit të ri.