Sistem performance në OSHEE, synohet rritje e arkëtimeve, ulje e humbjeve të energjisë
Në të gjitha strukturat e kompanisë publike OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) po vendoset sistemi i përformancës, me qëllim, përmirësimin e dy treguesve kryesorë, rritjen e arkëtimeve të energjisë së faturuar dhe uljen e humbjeve joteknike. Ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se për krijimin e këtij sistemi, po bashkëpunohet me USAID-in, ku përvec përmirësimit të performancës së punës për çdo punonjës, llogaridhënia do të jetë kryesore. Duke pohuar në një media televizive këtë fakt, Gjiknuri tha se, “Ne kemi nisur sistemin e performancës”, duke u shprehur se, në takimin e fundit me strukturat e OSHEE-së, u vendos performanca për çdo sektor. “Ne do të vendosim performancën individuale, që nga punonjësit e thjeshtë, por dhe strukturat më të larta”, deklaroi ministri i MEI-t. Gjiknuri tha mes të tjerave, se shtetëzimi i aksioneve të CEZ-Shpërndarjes tek OSSHE është në proçes dhe shumë shpejt do të kalojë në pronësi shtetërore. Sipas tij, me shtetëzimin e aksioneve, pritet reformim i gjithë kompanisë, ndërsa parashikohet ndryshimi i modelit të tregut. “Ne jemi duke punuar që krahas reformave të tjera, të ndryshojë modeli i tregut, futja e elementeve të rinj dhe profesionalë”, tha ai. Në 7 muajt e parë të këtij viti, arkëtimet u rritën me 45 milionë usd më shumë, krahasuar me vitet e kaluara dhe pritet që deri në fund të vitit, shuma të arrijë në rreth 65 milionë usd më shumë nga vjet. Që nga muaji tetor 2013, niveli i humbjeve të energjisë nisi të ulet dhe deri sot, llogaritet në mbi 7%. Vitin e kaluar mesatarja ishte rreth 45% humbje, ndërsa sot ka arritur në 40% si mesatare vjetore