Si luftohet kërcënimi terrorist, që vjen nga nacionalizmi i bardhë

Nga Simon Clark “Center for American Progres”

Dhuna nacionaliste e bardhë, ka marrë sërish jetë amerikanësh. 22 të pafajshmit e vrarë në El Paso, i bashkohen shumë viktimave të tjera të kësaj ideologjie terroriste. Njëmbëdhjetë njerëz, u vranë në Sinagogën e Pemës së Jetës në Pitsburg.

Nëntë besimtarë afro-amerikanë, u masakruan në kishën e tyre “Emanuel AME” në Çarleston. Dhe të gjithë u vranë nga nacionalistët e bardhë. Por administrata Trump, vazhdon të minojë përpjekjet për ta marrë seriozisht këtë kërcënim, teksa presidenti dhe mbështetësit e tij i bëjnë jehonë gjuhës ksenofobike, raciste dhe asgjësuese të nacionalizmit të bardhë.

Presidenti dhe ndihmësit e tij, na kanë treguar të kundërtën e asaj që duhet të jetë një përgjigje serioze dhe e mirëmenduar. Minimizimi i kërcënimit, siç bëri Trump pas masakrës në Kristçërç të Zelandës së Re, është vetëm një taktikë e presidencës së tij.

Trump mbylli zyrën e Departamentit të Sigurisë së Atdheut, që mbronte amerikanët nga sulmet e nacionalistëve të bardhë, dhe më pas bëri përgjegjes për sulmin e El Pasos, një njeri me probleme mendore, dhe të fiksuar pas videolojërave.

Për më tepër, ka shumë prova që presidenti ndan shumë nga bindjet që mbështesin supermacinë e bardhë. Nga përshkrimi i tij i vazhdueshëm i emigrantëve si pushtues, deri tek shpërfillja e njerëzve me ngjyrë si amerikanë jo të vërtetë.

Shpeshherë, është e vështirë të dallohet gjuha e presidentit, nga ajo e vrasësve të nacionalizmit të bardhë. Edhe më alarmante, është nxitja e tij për akte dhune. Në maj, Trump qeshi me një person në tubimin e tij, që bëri thirrje që agjentët e kufirit të qëllonin mbi emigrantët e paligjshëm, të cilët tentojnë të hyjnë në SHBA.

Si duhet të ishte një politikë serioze për të përmirësuar, kufizuar dhe përfundimisht mposhtur terrorizmin nacionalist të bardhë? Së pari duhet ringritur Zyra për Dhunën dhe Parandalimin e Terrorizmit në Departamentin e Sigurisë së Atdheut (DHS).

Administrata Trump, shkurtoi buxhetin e DHS për parandalimin e terrorizmit të brendshëm nga 21 në 2.7 milionë dollarë; ndërsa mbylli zyrën e vetme qeveritare për parandalimin e terrorizmit; dhe i caktoi ekspertët e saj në detyra të tjera. Ndërkohë u ndërprenë fondet për programe efektive të de-radikalizimit, që kanë në fokus nacionalistët e bardhë.

Së dyti, duhet parandaluar infiltrimi në polici i nacionalistëve të bardhë. Që nga viti 1986, një ligj i posaçëm në SHBA, i ndalon pjesëtarët e ushtrisë të përfshihen në veprimtari të supremacistëve. Por forcat e policisë ,nuk kanë rregulla të ngjashme, për të parandaluar infiltrimin ose zbulimin e radikalizmit.

Shefi i policisë në Oklahoma, vizitonte rrgullisht uebsajtet e supremacistëve të bardhë, zyrtarët e policisë në Florida, ishin rekrutuar në organizatën famakeqe “Ku Klux Klan”, ndërsa shefi i policisë në Kentakaki që mbrojti të shtënat ndaj disa të rinjve zezakë që tymosnin marijuanë, janë vetëm disa shembuj të qëndrimeve raciste nga ana e punonjësve të policisë amerikane.

Së treti, SHBA duhet t’i bashkohet nismën “Thirrja e Kristçërç”, të kryeministres së Zelandës së Re, Xhakinda Ardern dhe presidentit francez Emanuel Makron. Ajo bazohet në një axhendë të përbashkët mes qeverive dhe kompanive të teknologjisë, për të eleminuar përmbajtjen terroriste dhe të dhunshme ekstremiste në internet.

Administrata Trump, përmendi “shqetësimet kushtetuese”, si justifikim për mospjesëmarrjen në këtë nismë, edhe pse gjuha ishte hartuar me kujdes që të përdorte ligjet kombëtare të fjalës së lirë dhe të privatësisë.

Së katërti, FBI duhet të ketë mandatin e nisjes së një hetimi mbi terrorizimin e brendshëm, kur krimet e ndodhura në shtete të ndryshme dhe të klasifikuara si krime të urrejtjes, kanë lidhje me supremacinë e bardhë. Siç e ka theksuar eksperti Majk German i “Qendrës Brennan”, terrorizmi i brendshëm, përkufizohet si veprim i ndërmarrë në Shtetet e Bashkuara, që është i rrezikshëm për jetën e njeriut, dhe që ka për qëllim të frikësojë, t’i imponohet një popullate civile, apo të ndikojë mbi politikën e një qeverie. Ky është krimi me përparësinë më të madhe për FBI-në.

Së fundmi, t’i kërkohet Departamentit të Drejtësisë në SHBA, të ndjekë penalisht në mënyrë të barabartë të gjithë terroristët. Prokurorët kërkojnë mesatërisht dënime 3 herë më të rënda për autorët myslimanë të një dhune të ngjashme të motivuar ideologjikisht, në krahasim me jo-myslimanët.

Në fakt, terroristët duhet të dënohen në mënyrë të barabartë. Terrorizmi nacionalist i bardhë, është një kërcënim, të cilin ne duhet dhe mund ta mposhtim. Nuk ka asnjë arsye për ta pranuar atë, si një pjesë të re normale të jetës amerikane.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të identifikuar nacionalistët e dhunshëm të bardhë. Drejtuesit e kompanive të internetit, duhet të sigurojnë që platformat e tyre, të mos përdoren më për radikalizim.

Politikanët, duhet të mbajnë përgjegjësi për përdorimin e retorikës nacionaliste të bardhë, dhe përkrahjen qoftë edhe të tërthortë të atyre që zgjedhin dhunën. Ata duhet të ndalen, të reflektojnë, dhe të kërkojnë falje për veprimet e tyre.

Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë i takon publikut amerikan që t’i refuzojë ata me votë. Ne duhet të bëhemi bashkë, për të mposhtur ata që na sulmojnë nga brenda dhe që inkurajojnë akte të tilla, pavarësisht se cili është pozicioni i tyre.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment