Si duhet të jetë guvernatori i ri

bankaSi shumica e shqiptarëve, pak më ka interesuar telenovela e bankës, jo nga pikëpamja e përmbajtjes që paraqet epilogun tragjik të hajdutërisë çerekshekullore, por nga mënyra se si po trajtohet nga media dhe nga politika.

Ajo që më bëri të shkruaj këto rreshta është një lloj revolte që e ndjen çdo shqiptar, që në vend të shohë një reagim të atyre që e katandisën në këtë gjendje këtë vend, rrinë dhe vrasin mendjen për guvernatorin e ri nëse do të jetë mall vendi apo mall i huaj. Sikur të mos ishte fjala për një institucion qendror të një vendi, siç është Banka e Shqipërisë, kjo loja e guvernatorit të ri do të ishte një lojë nuse-dajash, apo si puna e një dhëndri pa nuse dhe pa shtëpi. Por, meqenëse vendi i guvernatorit nuk mund të rrijë vakant për dy muaj, po jap disa mendime modeste për profilin e guvernatorit të ri dhe pse duhet të jetë shqiptar apo shqiptare. Nuk ka arsye të kërkohet një guvernator i huaj, sepse ky vend për çerekshekulli, në çdo sektor të veprimtarisë ekonomike, financiare dhe monetare, është drejtuar, për të mos thënë vjedhur, nën asistencën e të huajve.

Së dyti, po t’u referohemi etapave të zhvillimit të ekonomisë botërore dhe krizave, që ajo ka pësuar, mendimi intelektual ka arritur në një përfundim: kur politikat ekonomike, financiare dhe monetare në një vend janë të mira, nuk ka nevojë për ekonomistë të mirë. Nga ana tjetër, mrekullitë ekonomike që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht në Lindjen e Largët: Japoni, Kore e Jugut dhe Kinë, në krye të ndërmarrjeve dhe të ekonomisë, nuk kanë qenë ekonomistë, por inxhinierë, juristë apo avokatë. Së treti, po t’i referohemi krizës së 2008-ës, për ironi të fatit, shumë fondacione financiare të fuqishme kanë falimentuar kur në drejtim të këshillave drejtuese kanë qene emra nobelistësh në fushën e ekonomisë. Është shumë domethënëse një pyetje e mbretëreshës së Anglisë: “Si është e mundur që askush nuk e parashikoi krizën?!” Së treti, te ne nuk është problemi i gjetjes së një njeriu të ri dhe këtu bëhet fjalë kryesisht në mentalitet, pse jo dhe në moshë. Por te ne, kërkohet të reformohet, ose më mirë të ndërtohet nga themelet sistemi bankar, si edhe ai financiar. Që të bëhet kjo, duhet që Parlamenti të kryejë reformat e nevojshme dhe të mos merret me ligje anti-Fullan. Guvernatori i bankës nuk ka pse të jetë i huaj. Të huajt nuk pjellin florinj, por është sistemi bankar ai që mbledh të ardhurat e floririt. Që ky sistem të punojë, duhet të vihet në eficencë ekonomia dhe këtë mund ta bëjë edhe një guvernator shqiptar. Është injorancë që pas 24 vjetësh tragjedi, të kërkosh përmbysjen e kësaj gjendjeje dhe zhvillimin e vendit tek emri dhe tek origjina e guvernatorit. Kështu, nuk ka nevojë që të ketë tituj shkencorë apo mastera guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë. Mjafton që të jetë një intelektual i aftë, i moralshëm dhe shqiptar-patriot.

Hysni Lekaj

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment