Shulku: Do të ketë penalizime me pikë

Ilir ShulkuIlir Shulku ka dalë para mediave për të sqaruar arsyet pse institucioni i futbollit vendosi ta shtyjë kampionatin e Kategorisë së Parë. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së bëri të ditur se problemi më i madh ka të bëjë me infrastrukturën e disa stadiumeve, që nuk kanë marrë miratimin e Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen në normalitet të aktiviteteve. Mirëpo, edhe pse premtoi se do të tregonte më konkretisht se cilat stadiume kanë mangësi, një gjë e tillë nuk ndodhi. “Kam thirrur këtë konferencë për shtyp për të sqaruar disa probleme që kanë çuar në shtyrjen e kampionatit të Kategorisë së Parë. Pas vendimit qarkullues që mori të premten Komiteti Ekzekutiv, pika më e rëndësishme është shkresa e ardhur nga Drejtoritë e Policive në disa qarqe të vendit. Këto të fundit na kanë vënë në dijeni që disa stadiume kanë probleme me infrastrukturën, duke filluar nga klubet e Kategorisë së Parë dhe niveleve më poshtë. Një nga arsyet kryesore e shtyrjes së kampionatit është pikërisht kjo, pasi disa klube nuk plotësojnë 100% kriteret e licencimit, për shkak të mangësive në infrastrukturë. Policia ka bërë një kategorizim të stadiumeve, pikërisht të atyre që plotësojnë kushtet dhe atyre që kanë probleme. Gjithashtu edhe sektori i licencimit në FSHF ka bërë ndarjen në kategori të stadiumeve. Ne si federatë kemi kërkuar nga çdo klub një miratim që duhet ta marrin në drejtoritë e policisë së qarkut për mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë sezonit në stadiumet përkatëse. Më 28 gusht u kemi nisur një shkresë të gjithë klubeve dhe më pas kemi bërë të njëjtën gjë edhe më 2 shtator, por ato që kanë pasur probleme, deri dy ditë më parë, nuk i kanë plotësuar kriteret. Në këto kushte, ne nuk mund të nisnim kampionatin. Deri më tani një pjesë e klubeve kanë bërë përmirësime të vogla në stadiume, ndërsa një pjesë nuk ka lëvizur. Gjithnjë flasim për riparime të pjesshme në infrastrukturë. Më duhet të shtoj se një tjetër problem me klubet ka të bëjë me detyrimet e pashlyera që ato kanë ndaj FSHF-së. Bëhet fjalë për detyrime financiare të pjesëmarrjes në garë”, ka thënë Shulku. Në lidhje me afatin që u është lënë klubeve dhe kur mund të fillojë kampionati, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, deklaroi: “Javën tjetër do të marrim një vendim konkret, pasi të shikojmë edhe se si do të sillen klubet. Nëse edhe në javën e ardhshme shikojmë që një numër i caktuar klubesh nuk arrijnë t’i plotësojnë kriteret, atëherë ndaj tyre do të ketë penalizime pikësh, derisa stadiumet të licencohen. Ky është një kusht i panegociueshëm”.
I pyetur se çfarë do të bëhet me rastet kur policia nuk merr përsipër mbarëvajtjet e ndeshjeve, edhe nëse stadiumet janë të licencuara, Shulku sqaroi se nuk ka ndodhur diçka e tillë. “Deri më tani në asnjë moment policia nuk na ka njoftuar që s’merr përsipër ndeshjen edhe për ato impiante që plotësojnë kriteret. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë, por gjithsesi në ndeshje të veçanta kërkohet që Policia e Shtetit të jetë më shumë prezente, kjo në varësi të tifozëve”, ka përfunduar sekretari i FSHF-së. J.M

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment