Shtyhet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit në KOsovë
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të ftuar për nesër në orën 10:00, shtyhet për të enjten e javës së ardhshme.
Kryesuesja se seancës së nisur në 17 korrik, deputetja më e vjetër, Flora Brovina, njoftoi sot pasdite se shtyrja u bë pasi “Lista Sërbe ka bërë kërkesë për kohë shtesë në mënyrë që të bëjnë konsulta brenda partisë”.
Në takimin konsultativ të ftuar nga Brovina lidhur me vazhdimin e seancës nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, si dhe të Vetëvendosjes, subjekte këto që dje kanë nënshkruar “’Marrëveshjen mbi Parimet’ për shtetin dhe qeverisjen” dhe synojnë që së bashku të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Qeverinë e re të Kosovës.
Ka njoftime se kërkesa e Listës Serbe, me 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, për shtyrje të seancës ndërlidhet me këtë marrëveshje.
Udhëheqësi i Listës Serbe, Aleksander Jabllanoviç ka konfirmuar se kërkesa e tyre është pranuar dhe seanca është shtyrë për javën e ardhshme dhe se kanë kërkuar kohë shtesë për konsulta pas krijimit të situatës së re politike.
“Shkak i kërkesës sonë për shtyrje të seancës është situata e re politike e krijuar në Kosovë, me ç’rast ka lindur nevoja për konsulta të reja brenda partisë”, citohet ai pak më parë nga media.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë paradite se është e panevojshme shtyrja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.