Shqiptarët sfidojnë, kuqezinj në Beograd

tifozatSerbi-Shqipëri më 14 tetor pritet të jetë një ndeshje shumë e nxehtë, jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në ambientin sportiv të të dy vendeve. E gjithë kjo për shkak të kushteve gjeopolitike që kanë karakterizuar raportin mes këtyre dy vendeve. Për këtë arsye, edhe masat e sigurisë do të jenë në nivele ekstreme, pasi rreziku për përplasje të ashpra mes tifozëve të të dyja kampeve mund të jetë i lartë. Deri dje ishte krijuar bindja se ultrasit e të dyja vendeve nuk do të udhëtonin në transfertat respektive, por kjo teori është rrëzuar nga vetë fansat e përfaqësueses shqiptare.
Takimi Një përfaqësi i grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe një e “Plisave” kanë zhvilluar dje një takim në FSHF me sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe e kanë njoftuar atë se dëshirojnë që FSHF të sigurojë bileta për tifozët e saj në ndeshjen që do të luhet në Beograd. Nga ana e Shulkut mësohet se ka pasur gatishmëri totale për t’u krijuar sa më shumë lehtësira tifozëve, ndonëse ky i fundit u ka kërkuar disa herë që të jenë të përmbajtur dhe të rishohin vendimin e tyre për të udhëtuar drejt Beogradit. E gjitha kjo, pasi sipas tij kjo ndeshje pritet të marrë më tepër sesa duhet ngjyra nacionaliste dhe për këtë shkak rreziku për incidente është më i madh.
Reagimi: Tifozët kanë këmbëngulur që FSHF të rezervojë biletat për tifozët e vet, konform rregullores së FIFA-s (5% e stadiumit). Ata janë të vendosur që të udhëtojnë drejt Beogradit për të mbështetur kombëtaren e tyre në një ndeshje kaq të rëndësishme. Ndërkohë, burime pranë FSHF-së bëjnë me dije se një arsye pse tifozët shqiptarë duan të jenë të pranishëm në stadium, është edhe fakti se kanë informata se në ndeshjen e kthimit, atë që do të luhet në Tiranë më 8 tetor të vitit 2015, ultrasit serbë do të udhëtojnë drejt Elbasanit. “Nuk mund të pranojmë kurrsesi që ata të jenë të pranishëm në stadiumin tonë, ndërsa ne jo në të tyrin”, ka qenë përgjigjja e prerë e ultrasve kuqezinj kundrejt Shulkut.
Federata serbe: I ndodhur para një situate kaq këmbëngulëse, mësohet se sekretari Shulku ka urdhëruar vartësit e tij, që duke filluar nga dita e hënë, të nisin bisedimet me federatën serbe të futbollit dhe të vihen në dijeni se FSHF do të kërkojë bileta për tifozët e saj. Megjithatë, mësohet gjithashtu se më parë pritet që federata serbe të negociojë me autoritetet policore vendëse, nëse ata do të marrin apo jo përsipër sigurinë e fansave shqiptarë. Kujtojmë se sjellja e tifozëve serbë shpesh ka qenë problematike, jo vetëm në ndeshjet brenda kundër Kroacisë, por edhe në ato jashtë, si ajo kundër Italisë dy vite më parë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment