Shqipëria pjesë e programit arsimor “Erasmus+”

12Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të martën marrëveshjen ndërmjet palës shqiptare dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin ‘Erasmus+’, që lidhet me arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin.
‘Erasmus+’ është programi më i ri arsimor i BE-së, që synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës, në një botë që ndryshon vazhdimisht. Ky program do të mbështet financiarisht një sërë veprimtarish në fushat e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit për periudhën 2014-2020.
Më pas, komisioni vijoi mbledhjen me shqyrtimin e pr/ligjit “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”.
P/ligji bazohet në rekomandimet e fundit të grupit të Organizatës Europiane për Akreditim, të cilët kryen një vizitë paravlerësuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, tha Armond Halebi, Drejtor i Agjencisë së Akreditimit në Ministrinë e Ekonomisë. Drafti, sipas tij, është i domosdoshëm dhe përputhet me kuadrin aktual ligjor europian.
Në pr/ligj përcaktohen rregulla për krijimin, organizimin dhe funksionimin e sistemit të akreditimit të organeve të vlerësimit të konformitetit. Ligji do të zbatohet në çdo rast akreditimi, pavarësisht nëse organi i vlerësimit të konformitetit kryen aktivitet të vlerësimit të tij në fushën vullnetare apo të detyrueshme dhe pavarësisht nëse vlerësimi është i detyrueshëm apo vullnetar.

 

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment