Shqipëria në BE, “The Economist”: Negociatat mund të nisin në 2015-ën

bePrestigjiozja britanike “The Economist” me qendër në Londër ka publikuar një raport në të cilin veçanërisht shpreh besimin se me një përshpejtim të reformave Shqipëria do ta ketë të mundur të nisë negociatat për anëtarësim në fund të vitit 2015. Kjo është e arritshme, thekson raporti, pasi qeveria ka një mandat të qartë dhe ngjashmëria e politikave me aleatin qeverisës duhet të mundësojë zbatimin e reformave politike dhe administrative të kërkuara nga BE-ja.

Sa i përket dhënies së statusit kandidat. “The Economist” thotë se u arrit pasi Shqipëria ndërmori dy hapa të rëndësishëm drejt këtij suksesi. Së pari, policia ndërhyri në “kryeqytetin” e kanabisit, Lazarat, për të demostruar kështu vendosmërinë e zbatimit të ligjit dhe së dyti arriti të zgjidhë konfliktin me kompaninë CEZ. Duke parë këto zhvillime, thekson raporti, ministrat e jashtëm të BE-së i thanë PO statusit të vendit kandidat në 24 qershor. Sa i përket reformës në drejtësi, sipas raportit është e vështirë, pasi ka ende ndikim opozita në emërimet në drejtësi”.

Duke analizuar kërkesat e BE-së e në mënyrë të posaçme ato që lidhen me drejtësinë, raporti thotë se “Shqipërisë i është kërkuar të ndërtojë një regjistër me hetimet dhe çështjet e ndjekura nga Prokuroria ndaj të dyshuarve për përfshirje në korrupsion”. Kjo do të jetë një detyrë e vështirë pasi pavarësia e gjykatave është e limituar. Ndikim kanë edhe sherret politike mes PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë, por jo vetëm këto, pasi presidenti Bujar Nishani, nënvizon raporti, është një ish-figurë e lartë e PD-së. Sipas raportit, kjo do të thotë se opozita ka një kontroll të kosiderueshëm në emërimet në drejtësi. Dhe vetëm atëherë kur të arrihet progres në këtë drejtim do të çelen negociatat për anëtarësim, thuhet më tej në raport.

Ndërkohë, në raport jepen të dhëna edhe për ekonominë e Shqipërisë ku thuhet se u trashëguar situatë e rënduar, pritet rritje modeste por e qëndrueshme. “të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti ekonomik në Shqipëri po rimëkëmbet pas një përkeqësimi të fortë në vitin 2013”.-vlerësohet në raport.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment