Shefi i diplomacisë shqiptare vazhdon vizitën në Nju-Jork

bushati mMinistri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka zhvilluar disa takime dypalëshe ne Nju-Jork, ku ndodhet për të ndjekur punimet e Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në ditën e parë, ai u takua me homologët e Zelandës së Re, Murray McCully, të Luksemburgut, Jean Asselborn, të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, të Spanjës José Manuel García-Margallo, Ministrin e Jashtëm te Mongolisë Luvsanvandan Bold dhe me Zëvendësministrin e Jashtëm te Argjentinës Eduardo Zuain.

“Në takimin me homologun nga Zelanda e Re u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe u shpreh vullneti e angazhimi për t’i çuar më tej ato. Bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zhvillimit të dialogut politik dhe rritjes së kontakteve përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë si dhe u ndalën në mundësinë e rritjes së bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, energjisë së rinovueshme, bujqësisë, industrisë minerare, turizmit dhe arsimit. Në takim, u diskutua dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Zelandës së Re në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe mbështetjes reciproke të kandidaturave”- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Ne takimin me Ministrin Asselborn të Luksemburgut, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e Luksemburgut për marrjen e statusit kandidat në BE, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë presidencës së ardhshme të BE-së nga Luksemburgu për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke uruar homologun e tij për zgjedhjen e. Jean-Claude Junker në krye të Komisionit Evropian, Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së një vëmendje të vazhdueshme nga ana e BE-së për procesin e zgjerimit dhe rajonin e Ballkanit, parë kjo dhe në situatën e sfidave gjeopolitike me të cilat po përballet BE-ja.

Gjate takimit me Ministrin Lajcak, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e Sllovakisë ne proceset integruese te Shqipërisë dhe rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, eksperiencën e grupit të Vishegradit në këtë kontekst dhe rëndësinë e rikonfimimit të procesit të zgjerimit në kuadrin sfidave gjeopolitike si një faktor nxitës për reformat.

Në takim me homologun e tij spanjoll José Manuel García-Margallo, Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të Spanjës për procesin e integrimit evropian, si dhe besimin se kjo mbështetje të vijojë edhe gjatë procesit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Ministrat e Jashtëm vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shkëmbyen ide mbi mundësinë e krijimit të një dinamike të re në këto marrëdhënie.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment