Uashingtoni: Duam një Britani të Madhe të fortë dhe të bashkuar
SHBA kërkon që Britania e Madhe të jetë e fortë dhe e bashkuar, konfirmoi sot zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, tre ditë nga referendumi për pavarësinë e Skocisë.
“Vendimi u përket skocezëve”, deklaroi Josh Earnest, i pyetur në lidhje me referendumin.
”Por Uashingtoni kërkon që Britania e Madhe, aleate e planit të parë, të jetë një partnere e fortë, e vendosur dhe e bashkuar”, shtoi ai.
Zëdhënësi i ekzekutivit amerikan përsëriti fjalët e thëna nga presidenti amerikan, Barack Obama në fillim të muajit qershor në Bruksel, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik, David Cameron.
I pyetur për këtë çështje gjatë konferencës së shtypit, Earnest refuzoi të shkonte më tej.
“Pyetja do t’i bëhet popullit skocez të enjten”, theksoi ai duke nënvizuar se Shtëpia e Bardhë respekton të drejtën e skocezëve të votojnë pa ndërhyrje të jashtme.