SHBA: Mungesa e kompromisit politik pengoi reformat në vend

Daniel B.BaerLufta e brendshme politike, mungesa e besimit dhe vullnetit për kompromis, dhe mungesa e vëmendjes tek progresi e kanë penguar Shqipërinë që të implementojë reforma të qëndrueshme, deklaroi sot përfaqësuesi i SHBA-ve në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Daniel B.Baer në përgjigje të raportit të prezantuar një ditë më parë nga Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunning.

Sipas njoftimit për shtyp të OSBE-së, Baer ka vlerësuar përpjekjet anti-korrupsion të OSBE-së duke inkurajuar që të vijojnë më tej me misionin e tyre. “Por natyrisht që lufta kundër korrupsionit kërkon angazhimin e të gjitha palëve ndaj inkurajojmë qeverinë, parlamentin partitë opozitare, shoqërinë civile dhe vetë qytetarët të përpiqen në luftën kundër korrupsionit”, tha Baer. Ai theksoi se zgjedhjet parlamentare të qershorit të kaluar ishin një shembull i kalimit të pushtetit në mënyrë demokratike dhe transparente.

“Por ajo që pasoi zgjedhjet nuk ka qenë dhe aq pozitive për shumë në Shqipëri dhe siç e identifikoni dhe në raportin tuaj lufta e brendshme politike , mosbesimi mes palëve dhe mungesa e vullnetit për kompromis e kanë penguar Shqipërinë që të implementojë reforma të rëndësishme”, tha Baer. Ky i fundit u shpreh se bie dakord me vlerësimet e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Rauning që një mbështetje e fortë për sundimin e ligjit dhe një dialog i konsoliduar politik mes qeverisë dhe opozitës mbeten esencialë. Bar theksoi se një element kyç në këtë drejtim është pranimi dhe implementimi i menjëhershëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ambasadori Baer tha se pavarësisht sfidave vlerëson progresin që ka shënuar Shqipëria këtë vit.

“Jemi të kënaqur që OSBE ka punuar ngushtë me ODIHR për krijimin e një Kodi sjellje për deputetët shqiptarë dhe inkurajojmë zbatimin e tij nga parlamenti. Dhuna fizike dhe kërcënimet nuk kanë vend në parlament dhe i bëjmë thirrje të aplikojnë këtë kod duke rikonfirmuar se nuk do të tolerojnë këtë sjellje”, theksoi Baer. Ai vlerësoi edhe punën e OSBE-së për promovimin e barazisë gjinore në jetën publike dhe private, si dhe mbështetjen e organizatës ndaj qeverisë për zhvillimin e strategjisë anti-trafik 2014-2017.

“Këto iniciativa dhe të tjera si lufta kundër krimit të organizuar, do të përfitojnë shumë nga bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, pjesërisht përmes Strategjisë së Menaxhimit të Integruar Kufitar të hartuar nga ministria e brendshme”, theksoi Baer. Një ditë më parë, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, paraqiti në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë raportin vjetor për Shqipërinë ku ndër të tjera vlerësoi operacionin anti-kanabis në Lazarat dhe operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit si dhe vullnetin politik të mazhorancës për reforma të rëndësishme, që solli dhe vendimin pozitiv të Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment