Shatërvani, ministria rrëzon bashkinë e Durrësit

shatervaniMinistria e Kulturës ka ‘rrëzuar’ dje vendimin e Bashkisë së Durrësit për heqjen nga qendra e qytetit të shatërvanit 84-vjeçar. Një projekt i miratuar për rehabilitimin e sheshit “Liria” parashikonte heqjen prej aty të objektit të 1930-ës, monument kulture. Por, meqenëse objekti si monument mbrohet nga shteti, miratimi për lëvizjen e tij duhet të jepet nga Ministria e Kulturës. 

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Restaurimit ka zgjatur pothuaj tri orë. Gjatë debateve për çështjen ‘shatërvani’, shumica e specialistëve të monumenteve të kulturës kanë kundërshtuar zhvendosjen e objektit nga sheshi. Ata kanë vendosur t’i kërkojnë Bashkisë së Durrësit të ruajë objektin dhe memorien historike të qytetit. “Debatet ishin konstruktive. Ne vendosëm t’i kërkojmë bashkisë të na tregojë arsyet që e shtyjnë ta heqë prej aty shatërvanin, dhe pse ai nuk mund të integrohet edhe në projektin e ri për sheshin ‘Liria’. Ne nuk jemi të prirur ta miratojmë modernizimin e sheshit, nëse ai nuk bashkëjeton me memorien historike”, thonë burime të “GSH” pranë këtij këshilli. Pritet që në mbledhjen e ardhshme të ridiskutohet çështja, duke dëgjuar edhe palën e bashkisë. KKR ka argumentuar në mbledhjen e djeshme, se çështja nuk shtrohet ku ta dërgojmë shatërvanin. Ai nuk është një objekt që mund të vihet kudo, ai shkon me kontekstin ku gjendet. 

Heqja e shatërvanit të 1930-ës u kundërshtua me forcë edhe disa vite më parë, pasi ngjalli shumë reagime mes aktivistëve të trashëgimisë kulturore dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Edhe atë kohë u zhvillua një protestë kundër vendimit të Bashkisë së Durrësit dhe u kërkua ndërhyrja e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, që drejtohej nga Ferdinand Xhaferaj. 

Shatërvani 
Shatërvani është ndërtuar në vitin 1930. Në vitin 1929 përfundoi së ndërtuari bashkia dhe një vit më pas u ndërtua shatërvani. Ai është në stilin e ndërtimeve të viteve 1920-1930. Shatërvani është pjesë e kompleksit të qendrës së Durrësit dhe Rrugës Tregtare. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” në vitin 2010, i biri i arkitektit, Salvador Sotiri, e kundërshtonte heqjen e tij, pasi shatërvani është një vepër e rrallë dhe simbol i qytetit të Durrësit, për ç’arsye, vepra mund të ruhet dhe me një shesh të rindërtuar. 

Forumi i Trashëgimisë 
Publikisht ose jo, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka dalë kundër prekjes apo zhvendosjes së shatërvanit. Forumi, një bashkësi intelektualësh, njohësish e mbështetësish të trashëgimisë kulturore shqiptare, sidomos në fushën e monumenteve, prej 2010-ës kur u krijua, ka dalë në mbrojtje të sajteve arkeologjike apo monumenteve që rrezikonin dëmin nga vendime shtetërore, ose edhe nga dhunues të zakonshëm. Ndonëse muajve të fundit ka qenë më i heshtur se zakonisht, anëtarë të tij, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, kanë dalë kundër projektit të Bashkisë së Durrësit dhe kreut të saj, Vangjush Dako për lëvizjen e shatërvanit. 

Protesta e peticion 
Kundër heqjes së shatërvanit, qytetarët durrsakë kanë protestuar për ditë më radhë. Mandej, rreth 1 javë më parë, pjesëtarë të shoqërisë civile nisën edhe mbledhjen e firmave të qytetarëve. Pranë sheshit ku ka nisur investimi i bashkisë organizatorët patën vendosur parulla, duke u bërë thirrje qytetarëve për nënshkrimin e peticionit dhe ndalimin e shkatërrimit të shatërvanit, të cilin e konsiderojnë një objekt historik. Peticioni i firmosur i ka shkuar dje edhe Ministrisë së Kulturës. Pos vendimit të KKR-së, një lajm i mirë është angazhimi gjithnjë e më tepër i shoqërisë civile dhe qytetarëve në mbrojtje të trashëgimisë. Duket se shkalla e ndërgjegjësimit, për të ruajtur pronat e shtetit, për të ruajtur të mirat e përbashkëta, po nxjerr krye mbi dhunimin e asaj që s’është e jona, por e shtetit (a thua se është e armikut). 

F.N

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment