Serbët: Jo nënvlerësim “Shqiponjave Kuq e zi”

shqiponjatMediat serbe vijojnë të shkruajnë për ndeshjen e 14 te-torit me Shqipërinë, një derbi i nxehtë ballkanik, edhe pse përpara saj duhet të kalojnë me sukses një kundërshtar tjetër, Armeninë. Gjithsesi, në fokus është përballja me kuqezinjtë e De Biazit, për të cilët nuk flitet me nënvlerësim, përkundrazi. Duke iu referuar një fakti, që trajneri i parë i kombëtares sonë ka qenë serbi Ljubisha Brosiç, televizioni ‘BN’ bën një shtjellim të gjatë shumëplanësh, për të mbërritur në përfundimin: Asnjë nënvlerësim shqiptarëve, por pasi t’i mundim, mund t’u themi me krenari: “Ne ua kemi mësuar futbollin, ne ua ç’mësojmë atë”.

HISTORIA

Emri i tij mund të duket i vështirë për t’u gjetur edhe në një kuic me vlerë një milion dinarë. Si serbin që trajnoi tri ish-ekipe kampione të Europës do të zgjidhnit me shumë garanci Radomir Antiq. Kjo është për shkak se askush nuk e kujton Ljubisha Brosiç. Është viti 1946, plagët e luftës nga periudha e përgjakshme e bombardimit të Ballkanit janë ende të freskëta. Enver Hoxha vendos nën grushtin e tij të fortë dhe mizor të vuajturën dhe të varfrën Shqipëri. Hoxhën e kishte zënë paranoja dhe mendonte se kishte vetëm një mik: Jugosllavinë dhe Titon. Ky i fundit kishte dërguar për të ndihmuar popullin shqiptar me profesionistët më të mirë: inxhinierë, arkitektë, mësues dhe… një trajner futbolli. Ljubisha Brosiç përgjithmonë do të mbetet në analet e futbollit shqiptar si trajneri i parë i ekipit kombëtar të këtij vendi. Dhe për një kohë të gjatë mbahet si trajneri më i suksesshëm i një populli që e do me të vërtetë futbollin. Në tetor 1946, në Tiranë mbahet Kupa Ballkanike dhe Shqipëria e fiton atë. Ai do të mbetet i vetmi trofe, të cilin “shqiponjat e zeza” e kanë fituar ndonjëherë.

DE BIAZI
Ai gol i Bekim Balajt në Aveiro, teksa bëri atë kthesë dhe e dërgonte me forcë topin në rrjetën e Rui Patricios, që i dha Shqipërisë tri pikët e para në grupin tonë kualifikues, në Portugali, teksa ne mbyteshim me barin dhe atmosferën e keqe në “Autokomanda”, ishte qershia mbi tortë e progresit të trajnerit italian Xhiani de Biazi, çka të kujton Brosiçin në ekipet e drejtuara. Dhe ky lajm për ne, që i shohim “fiset e egra nga jugu” me mendjemadhësi, arrogancë, gjithmonë me përbuzje e shpesh me urrejtje, ishte një befasi e goditje e madhe. De Biazi arriti ta kthejë ekipin e talentuar shqiptar, por shpeshherë dembel e të padisiplinuar, në një ekip luftëtarësh, serioz dhe tepër të saktë në mbrojtje. Shqipëria e De Biazit në 23 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm 6 herë më shumë se një gol, dhe asnjëherë më shumë se dy gola. Tri vite më parë, kur italiani vinte për të zëvendësuar kroatin e ndjerë, Josip Kuzhe, kaloi gjashtë muaj fluturimi me avion nga njëri shtet në tjetrin, thuajse në të gjithë Europën, kudo ku kishte fëmijë të talentuar me gjak shqiptari, duke u përpjekur t’i bindë ata se nuk duhet të zgjedhin Zvicrën, Belgjikën apo Austrinë. Ata ndërtuan sukseset e para të mëdha në futboll. Kurse ne ndihemi të lodhur e në siklet se jemi serbë. Në fakt, asnjëherë nuk e kemi kuptuar këtë popull, sikur kjo është eufemizëm. Ne e kemi të vështirë t’i kuptojmë edhe tani, apo dhe ta shikojmë me paanësi shtetin e tyre dhe strukturat e futbollit. Shqipëria është perla e fundit e pazbuluar e Europës, vend me natyrë të bukur, me bregdet që mban erë aq të mirë, sa ai malazez apo grek; një përzierje e mrekullueshme për çdo udhëtar mes lindjes e perëndimit.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment