Sektorët prodhues dhe Call Center kryesojnë në rritjen e ekonomisë së vendit

Call CenterGjatë vitit 2013 sektorët që gjeneruan rritje të punësimit janë sektorët industrialë me kapital intensiv pune dhe jo më financat dhe telekomunikacionet, që kryesonin pak vite më parë me investimet në teknologji.
Në sektorin industrial kryeson industria përpunuese, kryesisht tekstile dhe këpucë, që punojnë me material porositësi si dhe sektori i Call Center. Këta sektorë sipas anketës së fundit të INSTAT rezultojnë se kanë rritur punësimin me 22% me bazë vjetore në fund të muajit shtator 2014.
Të dy sektorët janë industri që kanë avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të punës.
Gjatë vitit 2013, ndërmarrjet aktive në sektorin e tregtisë realizuan 48,7 % të shifrës së afarizmit dhe zënë 43,3 % të numrit të totalit të ndërmarrjeve, duke pasur 26% të të punësuarve gjithsej.
Sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2013, shifra e afarizmit për të punësuar për vitin 2013 pësoi rënie me 2,6%, pasojë e rritjes së numrit të të punësuarve me 9,0 %, ritëm ky më i lartë sesa shifra e afarizmit me 6.2 %.
Në prodhuesit e të mirave, shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 2,2 % krahasuar me vitin 2012, në sektorin e industrisë me 3,4 %, ndërsa në sektorin e ndërtimit ky tregues u rrit 1,8 %.
Krahasuar me vitin 2012, shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,1 % ku ulja më e madhe duket për sektorin e transportit dhe komunikacionit me 7,8 %.
Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë duke realizuar 60,1 % të shifrës së afarizmit. Rreth 48,5 % e të punësuarve i përket këtij grupi ndërmarrjesh, ku përgjatë aktiviteteve ekonomike janë investuar 66,9 % e totalit të investimeve.
Pavarësisht këtij grupi ndërmarrjesh, ato që kanë të punësuar 1-4 vetë përbëjnë 89,4 % të ndërmarrjeve, kanë realizuar 15,8 % të shifrës së afarizmit dhe ka 34,5 % të të punësuarve gjithsej. Në këtë grup ndërmarrjesh të vogla, kryesojnë prodhuesit e shërbimeve.

Submit a comment