Samiti i NATO-s, Rama kryeson delegacionin shqiptar

raNë Wales, po zhvillohet samiti dyditor i NATO-s.

Në këtë Samit, i konsideruar shumë i rëndësishëm për çështjet që do të trajtojë, delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama dhe në përbërje të tij janë edhe Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Sipas njoftimit nga kryeministria, samiti, ku marrin pjesë delegacionet e nivelit të lartë të 28 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, i cili nënvizoi se ky Samit do t’i shërbejë forcimit të partneritetit të Aleancës në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.Në ditën e parë të Samitit diskutohet mbi situatën në Ukrainë dhe Afganistan.

Ndërkaq edhe zyra e shtypit e MPJ-së bën të ditur në një deklaratë për shtyp se, gjatë sesionit të parë të punës së Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, diskutimet u fokusuan mbi procesin e zgjerimit të NATO-s me vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Aleancë, si Bosnje-Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Në këtë seancë, Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë së politikës së Aleancës për mbajtjen hapur të dyerve të saj për vendet aspirante që janë të aftë për të përmbushur angazhimet dhe detyrimet e anëtarësimit.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një mbështetëse e fortë dhe e palëkundur e integrimit Euro-atlantik të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me bindjen se kjo është rruga e vetme për garantimin e qëndrueshëm të sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Gjithashtu, në cilësinë e kryesuesit të dy nismave mjaft të rëndësishme rajonale, si Karta e Adriatikut (A5) dhe SEECP, Ministri Bushati mbështeti forcimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në këto momente të kërcënimeve të reja shumëdimensionale në hapësirën euro-atlantike, duke evidentuar faktin që ato nxjerrin në pah domosdoshmërinë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë mes vendeve të rajonit në të ardhmen.

Gjithashtu, takimet do të vijojnë gjatë darkës së punës së Ministrave të Punëve të Jashtme,  e cila do t’i kushtohet sfidave të ardhshme të sigurisë dhe bashkëpunimit me vendet partnere të NATO-s në përballimin e tyre.

Samiti i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s do të vijojë punimet dhe gjatë ditës së nesërme.

Almarina Gegvataj

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment