Rreziku i shkatërrimit të faunës nga dora njerëzore dhe mungesa e ndërgjegjësimit

mrVend i pasur në florë dhe faunë, por shumë pak i njohur për shumëllojshmërinë dhe veçantitë që ofron. Kjo është Shqipëria, e cila mund të konsiderohet edhe si një ndër strehat e vetme në Europë të gjitarëve të mëdhenj, të cilët në pjesën më të madhe të Europës janë zhdukur. E megjithatë, mungesa e rezervateve për mbrojtjen e këtyre gjitarëve dhe gjuetia e paligjshme, mund të çojë në zhdukjen e tyre në vendin e njohur për shqiponjat e alpeve.

Zhvillimi i ulët ekonomik përgjatë viteve, mungesa e gjatë e vëmendjes së shtetit, faktorët klimatikë, por vecanërisht presioni human, konsiderohen si armiqtë kryesorë në zhdukjen apo minimizimin e shumëllojshmërisë në florë dhe faunë. Dikur në qytete kishte më shumë shpendë, ndërsa në zonat malore krahas dhive të egra dhe kapronjve, kishte shumë shpendë të egër si shqiponja, huta, skifteri. Sot ato janë më të paktë në numër, për të mos thënë se rreziku për zhdukjen e tyre është evident. Dikur Shqipëria njihej si vendi i koranëve, një peshk i rrallë që rritej në liqenin e Ohrit (Pogradec), ndërsa sot edhe ky lloj peshku është drejt zhdukjes.

Dhe ky është një alarm nëse kihet parasysh që në vendin, me sipërfaqe 28 mijë metra katrorë gjenden afro 84 lloje gjitarësh, 320 lloje shpendësh, 37 lloje reptilësh, 15 lloje amfibësh, 313 lloje peshqish dhe 3850 lloje insektesh, 900 prej të cilëve flutura. Gjitarë të mëdhenj të rrallë si ariu, ujku, rrëqebulli, që janë zhdukur në pjesën më të mëdha të Europës, gjenden në Shqipëri (edhe pse në rënie dër vite). Por, pyetja që sot shtrohet është edhe për sa kohë ne do të mund të mburremi për ekzistencën e tyre?

Ministria e Mjedisit propozoi moratoriumin për ndalimin e gjuetisë për 2 vite, kohë e mjaftueshme kjo, sipas zv.ministres Diana Bejko, për ripërtëritjen e popullatave dhe habitateve. “Kjo është një masë drastike, por e domosdoshme dhe e nevojshme, në mënyrë që të ndalohet humbja e mëtejshme e popullatave të llojeve të faunës së egër, tashmë në një minimum kritik, si dhe të mundësohet vendosja e kontrollit mbi aktivitetin e gjuetisë, për shkak të gjendjes së rënduar kritike të popullatave të faunës së egër gjatë dy dekadave të fundit, si pasojë e gjuetisë së pakontrolluar”, thotë ministri Mjedisit,

Lefter Koka.

Por nga ana tjetër, ky është një paralajmërim që mund të shtrohet në kohën e duhur për të ndërgjegjësuar gjithkënd dhe që nesër askush prej nesh të mos përdorë shprehjen: na ishte një herë një vend, në malet e të cilit fluturonte shqiponja e ku gjeje gjitarë të rrallë, apo ku shpendët migratorë gjenin strehë.

Faktorët shkatërrues

Si edhe tjetërkund në botë, shkatërrimtarët kryesorë të faunës dhe florës janë kushtet klimatike dhe dora e njeriut. Por kjo në Shqipëri merr edhe një peshë më të madhe, për vetë faktin se politikat shtetërore për mbrojtjen e specieve të rralla nuk kanë gjetur zbatim. Ndotja e ujërave, përdorimi intensiv i burimeve natyrore si përdorimi i tokës, zënia e saj me ndërtime, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, gjuetia dhe peshkimi i papërgjegjshëm, kanë qenë dhe mbeten faktorë evidentë për shkatërrimin e një pasurie, që duhet të na bënte krenarë. E po kështu, ndikim negativ kanë zjarret në pyje dhe përmbytjet, apo dhe thatësirat e tejzgjatura.

Por, ndër faktorët më kryesore që kanë sjellë shkatërrime serioze të faunës së egër vitet e fundit është numri në rritje i armëve të gjahut. Sipas Ministrisë së Mjedisit, numri i armëve të gjahut sot arrin në rreth 75 mijë, të autorizuara nga organet e rendit, në një kohë kur para viteve ‘90 ka pasur vetëm 12 mijë të tilla. Në Federatat dhe shoqatat e gjuetarëve janë të anëtarësuar rreth 17 mijë gjuetarë, ndërkohë që vitet e fundit janë rreth 5 mijë gjuetarë në vit të pajisur me leje gjuetie.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë situatë është futja në mënyrë klandestine e një numri të konsiderueshëm të gjuetarëve të huaj, duke përdorur të gjitha format dhe mjetet që shkaktojnë dëmtim në masë të faunës së egër. Po kështu, ekzekutimi në shkallë të ulët i gjobave të vëna për gjueti të paligjshme ka ndikuar në këtë situatë. Nga të dhënat rezulton se nga ana e Policisë Pyjore janë gjobitur mesatarisht në 3 vitet e fundit për gjueti të paligjshme mbi 70 gjuetarë në vit dhe ekzekutohen rreth 4 % të vlerës së gjobave.

E pavarësisht nga premtimi global për të zvogëluar shkallën e humbjes së biodiversitetit në mënyrë të konsiderueshme dhe një angazhim evropian për të ndalur atë plotësisht, tkurrja e tij vazhdon. Ndoshta ne mund të jemi ndër të paktët vende ku rezervatet qofshin ato edhe turistike nuk ekzistojnë, çka tregon se vëmendja shtetërore përgjatë viteve për mbrojtjen në terren të faunës dhe florës ose nuk ka ekzistuar ose ka qenë në nivele minimale. “Puna e pamjaftueshme e institucioneve shtetërore, përgjegjëse për zbatimin e ligjit si Policia e Shtetit, organet Tatimore e Doganat për kontrollin e tregtimit dhe eksportit të lëkurëve dhe të gjahut të vrarë në Shqipëri kanë ndikuar në situatën e krijuar. Përdorimi i mjeteve shfarosëse në masë të ndaluara me ligj si drita, imitues, ndjellës, etj, por edhe ndërgjegjësimi shoqëror ende i ulët për vlerat e mjedisit e natyrës në përgjithësi dhe të faunës së egër në veçanti, janë faktorë ndikues në këtë situate”, shprehen specialistët. Po ashtu edhe lëvizjet demografike, sidomos në fillimet e tranzicionit, pa marrë në konsideratë komponentët mjedisorë, që kanë sjellë fragmentarizime, prishje të habitateve, frikësime të popullatave vendase e shtegtare, janë ndër faktorët e shkatërrimeve serioze të faunës së egër.

Alarmi i dhënë herë pas here ndër vite nga ambientalistët duket se nuk mjafton, nese merret parasysh se gjithçka mbetet në kuadrin e fjalëve dhe në shumë pak raste, për të mos thënë në asnjë rast, nuk ka zbatim planesh dhe projekte konkrete.

Gjendja e faunës së egër

Të dhënat e paraqitura në studime të ndryshme, Raportet e Mjedisit dhe të Drejtorisë së Pyjeve dhe Biodiversitetit për një periudhë rreth 10 vjeçare (2001-2011), flasin për një gjendje në rënie të shumë popullatave të llojeve të faunës së egër. Sipas të dhënave të këtyre studimeve, për 3 llojet vendase objekt gjuetie, lepur i egër, dhelpër, thëllëzë mali, ka një rënie në masën prej 30 % deri mbi 50 %. Po kështu, ka rënie të ndjeshme edhe të popullatave të llojeve të mbrojtura. Kështu, për llojin dhi e egër ka një rënie prej 44 % në vitet 2001-2011, për llojin dhelpër, një rënie prej 32 %, për llojin lepur i egër, 54 %, për llojin fazan, 100%, për llojin thellëzë mali ka një rënie prej 67% dhe për llojin thëllëzë fushe ka një rënie prej 68%.

Dhe ndërsa për llojet e kërcënuara globalisht, alarmi është po kaq i madh. Rrëqebulli i Ballkanit, çakalli, apo dhe ariu i murrmë, etj, klasifikohen të tillë, që meritojnë kujdes dhe vëmendje të veçantë. Arriu i murrmë është një ndër elementët më të çmuara të biodiversitetit shqiptar, duke luajtur dhe rol në mbrojtjen e tij. Por, kjo specie është e rrezikuar kryesisht nga veprimtaria e njeriut. “Përderisa arinjtë dhe njerëzit popullojnë të njëjtën hapësirë lind nevoja për të siguruar bashkëjetesën mes tyre. Aty ku mungon kjo, habitatet natyrore të arinjve shkatërrohen dhe ata zhduken”, thonë ambjentalistët. Mendohet se popullata e ariut të murrmë në vend ka rënë ndjeshëm nga fundi i viteve ’80.

Rrëqebulli i Ballkanit, i cili përfaqëson popullatën më të vogël dhe më pak të njohur autoktone në Evropë, aktualisht, gjendet në katër shtete të rajonit ballkanik, Shqipëri , Mali i Zi, Maqedoni dhe Kosovë. Ndaj, zbatimi i planit të veprimit për rrëqebullit ka nevojë të bashkërendohet në nivel më të gjerë. Masa mbrojtëse të rekomanduara janë ruajtja dhe shërimi i ekosistemeve të larta malore dhe pyjeve të vjetër të virgjër të përzjerë që janë burime jetike për mbijetesën e rrëqebullit, por edhe ndalimi i tregtisë së rrëqebullit të balsamosur, përkrahja e zhvillimeve të përshtatshme në zonat malore, rehabilitimi i gjahut natyror dhe mbrojtja e habitateve ku rritet ky lloj, etj. Por këto masa të rekomanduara në planin e veprimit të hartuar prej vitesh, ende nuk dihet se kur do të zbatohen dhe kur turistët do të mund të vizitojnë rezervatet natyrore me këtë specie të rrallë.

Rrëqebulli i Ballkanit, pak i njohur dhe i studiuar, ka patur një rënie, që ka përsfhirë një humbje prej 60 % të territorit të shtrirjes mes viteve 1950 dhe 2006, cka ilustron shpejtësinë e zhdukjes së llojit. Në vitin 1950, bazuar në të dhënat, mendohet të kenë qenë në vend rreth 86 individë dhe në 2006 vetëm 28 të tillë.

Shpendët

Shqipëria është habitati dhe i shumë lloj shpendësh, të konsideruara lloje të mbrojtura, por edhe në këtë drejtim, gjithcka lë shumë për të dëshiruar. Karabullaku i Vogël, një shpend i vogël, lloj strikt i mbrojtur në Shqipëri dhe globalisht i kërcënuar, listohet në disa konventa ndërkombëtare si një lloj i një rëndësie të veçantë. Por edhe pse i tillë, shqetësimi nga njeriu, sidomos gjatë periudhës së folemizimit, vazhdon të mbetet prezent si një faktorë kërcënues.

Ky lloj gjendet në lugatinat shqiptare gjatë gjithë vitit, ndërsa numri më i madh vërehet në dimër me 900-3000 individë. Por kolonitë që gjendeshin në të kaluarën në Shqipëri janë zhvendosur në vendet fqinje. Sot karabullakët e vegjël, që shihen gjatë folezimit, bëjnë pjesë më tepër tek individët që përdorin territorin shqiptar si vend ushqimi. Ndërsa folezuesit janë zhvendosur në Malin e Zi (liqeni i Shkodrës ose lumi i Bunës), ose në Greqi në Liqenin e Prespës së Vogël. Sipas një raporti në vitin 1998, lloji nuk folezon më në Shqipëri, ndërkohë kërkimet e 2004 kanë treguar se llojet mund të folezojnë akoma në liqenin e Shkodrës me rreth 25 çifte folezues. Kolonitë e mëparshme kanë qenë të gjitha brenda zonave të mbrojtura si në rezervatin e Velipojës dhe atë të Kune-Vain. Kompleksi Divjakë-Karavasta në Ultësirën Prerendimore të vendit vazhdon të jetë një nga zonat më të rëndësishme për shpendët e ujit , ndonëse pjesa më e madhe e tij është objekt i ndërhyrjeve negative nga aktiviteti i njeriut.

A mjaftojnë vetëm ligjet e konventat?

“Për të frenuar kërcënimin ndaj llojeve të florës dhe faunës, janë marrë disa masa. Shqipëria tashmë është palë në Konventën e Biodiversitetit, e po kështu ka një paketë të plotë ligjore në fushën e natyres dhe te biodiversitetit, e cila po përafrohet me legjislacionin europian, vecanërisht me direktivat e habitateve dhe të shpendëve të egër ”, shprehet Ministria shqiptare e Mjedisit.

Vendi ka hartuar edhe një seri ligjesh për të mbrojtur florën dhe faunën, madje duke u vlerësuar për hartimin e legjislacionit. Por sa e mjaftueshme është hartimi i një ligji të mirë, kur zbatueshmëria e tij është në rastin më të mirë në kufijtë minimal? Praktikat dhe faktet flasin se ligjet apo konventat në letra janë larg realitetit.

Tani flora dhe fauna kanë nevojë për shpëtim, në mënyrë që nesër askush prej nesh të mos ndjehet fajtor për shkatërrimin e një pasurie, që shumë mirë mund të konsiderohet edhe si një burim zhvillimi për turzimin, malor apo detar qoftë

Marrë nga ATSH – Almarina Gegvataj

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment