Rishikimi i buxhetit rrit efektshmërinë e investimeve, ul defiçitin

drejtoria e financaveeMinistria e Financave ka rritur parashikimet për të ardhurat buxhetore, duke i çuar në 367.9 miliardë lekë nga 364.7 që ishin parashikuar në buxhetin e fillimvitit. Po ashtu, uli parashikimin për nivelin e defiçitit buxhetor, duke e çuar atë në 88.4 miliardë lekë, nga 91.7 miliardë lekë që ishte parashikuar më parë.

Ndryshimi i ligjit të buxhetit të vitit 2014 bën të mundur arritjen e tre objektivave të rëndësishëm, financimin e paaftësisë me rreth 4.3 miliarde lekë, rrit mundësinë për realizimin e investimeve publike me financim të brendshëm me rreth 8.7 miliardë leke dhe ul nivelin e defiçitit buxhetor nga 6.6% e PBB, në 6.3%. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore, sipas Aktit Normativ, parashikohet të mbeten të pandryshuara.

Kjo është hera e parë në 5 vjet, që buxheti rishikohet në rritje dhe për ministrin e Financave, Shkelqim Cani, ky argument është përgjigja më e mirë ndaj akuzave të opozitës. “Treguesit besoj flasin vetë. Është e para herë që buxheti shihet në rritje. Nëse rritja është demagogji dhe ulja e treguesve të buxhetit është e vërtetë, unë si ministër i Financave, por edhe qytetarët, gëzojnë që Shqipëria nga viti në vit të rishikojë buxhetin gjithnjë në rritje”, tha Cani.
Rritja më e madhe i dedikohet Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku plani për deri në fund të vitit është rritur më shumë se 6 për qind. Ndërsa janë reduktuar parashikimet për akcizën, e cila pritet të mbyllë vitin me 8 për qind më pak se plani i fillimvitit. Gjithashtu, me ulje vjen edhe tatim-fitimi.
Nga TVSH janë mbledhur për 8-mujorin 2014 rreth 81.6 miliardë lekë ose 16.4 për qind më shumë se një vit më parë dhe 7.5 për qind më shumë se plani i periudhës për vitin 2014. Ndryshime të dukshme janë bërë në zërat e shpenzimeve, duke pakësuar disa zëra e duke shtuar disa të tjerë.
Sipas ministrisë së Financave, 3.7 miliardë lekë janë kursyer vetëm nga shlyerja e interesave të borxhit, kryesisht të borxhit të brendshëm, për shkak të uljes së interesave të bonove të thesarit. Pothuajse gjysma e kësaj shume ka shkuar për rritjen e fondit për shpenzimet korente. Gjithashtu, është shkurtuar fondi rezervë me 14 milionë dollarë dhe nga ana tjetër janë shtuar shpenzimet për pushtetin vendor me 27 milionë dollarë. Në kuadër të ndryshimeve, 4.3 miliardë ose 43 milionë dollarë, vendosen në dispozicion të gjithë pjesës më të dobët të shoqërisë, personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë e tetraplegjikë. Gjithashtu, ndryshime ka edhe në zërin e investimeve kapitale. Fondi në total nuk ka ndryshuar, duke mbetur në vlerën e 67 miliardë lekëve, por ka ndryshuar dukshëm struktura e financimit të tij. Qeveria ka vendosur të rrisë financimin e brendshëm për investime duke e çuar atë në 36.5 miliardë lekë, nga 27.8 miliardë lekë që ishte fillimisht. Ndërsa zërin e financimeve të investimeve të huaja e ka ulur në 29.6 miliardë lekë nga 38.6 miliardë lekë që ishte më parë.

Janë 15.2 miliardë lekë ose 152 milionë dollarë që shkojnë për investime në infrastrukturën rrugore, duke filluar nga rruga e Valbonës, tek rruga Kukës-Krumë në Has, rruga Lushnje-Berat, rruga Lin-Pogradec, segmentet e rrugës Plepa-Rrogozhinë, Korçë-Ersekë. Gjithsej janë 51 projekte për infrastrukturë rrugore që kanë arritur të financohen deri në plus 50%, me rishikimin e buxhetit do të financohen 100%.

Fondi prej 3.2 miliardë lekësh i akumuluar në buxhet si e ardhur tepër planit do të shkojë i gjithi për uljen e defiçitit buxhetor, duke e çuar atë në 88.4 miliardë lekë nga 91.7 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim të vitit. Por qeveria ka bërë disa riorganizime në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve. Në të ardhurat ka ulur planin vjetor për disa tatime, që nuk ka ecur mirë dhe ka rritur pritje të tjera, që është konstatuar tejkalim plani në fund të gushtit. Në zërin e shpenzimeve janë rishpërndarë fondet, duke i çuar nga projektet që nuk kanë patur ecuri të mirë, në projektet më të avancuara.

Buxheti 2014: Buxheti i rishikuar 2014
Të ardhurat 363. 9 miliard lekë Të ardhurat 367.9 miliardë lekë
Shpenzimet 459.5 miliard lekë Shpenzimet 459.5 miliardë lekë
Defiçiti 917 miliard lekë Defiçiti 88.4 miliardë lekë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment