Rama: Sistemi i drejtësisë turp kombëtar, s’ka alibi, reformë e thellë

ramaaaShefi i qeverisë shqiptare ka shfrytëzuar konferencën kundër korrupsionit të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes për të shprehur edhe njëherë vendosmërinë e tij për të çuar përpara reformën në drejtësi, qoftë edhe pa opozitën.

Përpara Ambasadorëve të SHBA-së dhe Gjermanisë në vendin tonë, Rama theksoi se Shqipëria ka drejtësinë më të korruptuar në Europë, një turp kombëtar që sipas tij duhet të marrë një orë e më parë përgjigje.

“Ne kemi drejtësinë më të korruptuar në Europë. Kemi një sistem drejtësie që është një turp kombëtar botërisht i njohur. Dhe këtu bie dakord me Ambasadorin gjerman dhe gjithë ata që ngrenë supet përballë ndjesisë së një impotence shoqërore kur vjen puna tek përballja me aktet dhe vendimet e gjykatave. Dhe më të drejtë pyesin si ka mundësi që asnjë gjykatës nuk është ballafaquar me ligjin për shkak të shkeljes së ligjit nga ana e tij.

Dhe sigurisht kjo pyetje kërkon një përgjigje konkrete që do ta japin institucionet dhe është e pashkëputur nga përpjekja për modernizimin e sistemit, jemi zotuar për të ndërmarrë një reformë të thellë në drejtësi dhe e kemi filluar. Do ta çojmë përpara me vendosmëri dhe pa parë majtas –djathtas dhe as pa u ndalur për ti mbushur mendjen kujt nuk e do reformën apo kujt e do me ritmet e breshkës”.

Kryefjalë të reformës në drejtësi, Kryeministri sheh modernizimin. E ndërsa rezultatet e kësaj reforme do duan kohë të preken nga qytetarët e thjeshtë, Rama thotë se afrimi i tyre lidhet më ndëshkimin e të gjithë njerëzve të drejtësisë që përdorin çekiçin e gjyaktësit për të shkelur ligjin.

“Reforma në drejtësi është reforma e modernizimit që rezultatet konkrete do të dojë kohë për ti sjellë për qytetarin. Ndërkohë afrimi i rezultateve lidhet direkt me ndëshkimin e të gjithë atyre njerëzve të drejtësisë që çekiçin e gjykatësit e përdorin për të shkelur liri dhe të drejta njerëzish të pafuqishëm.

Në këtë aspekt ne nuk kemi alibi, secili duhet të bëjë detyrën e vetë dhe ne do bëjmë detyrën si qeveri. Reforma në drejtësi është një reformë shumë më komplekse sesa përfshirja e qeverisë, por ne do ta udhëheqim si shumicë parlamentare”.

Sa i përket krimit të organizuar, Kryeministri shqiptar thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes shteteve. Sipas tij kemi një Europë të bashkuar shtetesh përballë një Europe të krimit, e cila vepron intensivisht çdo ditë.

“Duhet të bashkërendojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë që ne kemi një Europë të bashkuar me kaq shumë burokraci, Europën e bashkuar të shteteve, Europa e kriminelëve funksionon si sahat, funksionon aq mirë sa ne telefonat e çdo krimineli shqiptar të arrestuar për trafiqe ka më shumë se tre prefikse.

Nuk gjen një telefon që të ketë vetëm komunikim lokal. Europa e bashkuar e krimit është përballë nesh dhe është e lidhur dhe vepron intensivisht çdo ditë e çdo natë.

Korrupsioni alternativë e mungesës së konkurencës, meritës e shërbimeve
Korrupsioni është një alternativë nuk është një zgjedhje. Mjafton të shohësh dallimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë apo gjithë shkallët në të cilat janë vendosur vendet e Europës për të kuptuar se aty ku ka konkurencë të lirë dhe transparente nuk ka ose ka shumë pak korrupsion, aty ku ka meritokraci reale nuk ka ose ka shumë pak korrupsion dhe aty ku ka shërbime cilësore nuk ka ose ka shumë pak korrupsion. Për shkakun e thjeshtë se korrupsioni është një alternativë e mungesës së konkurencës , meritës dhe shërbimeve.

Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë pjesë e luftës, por jo thelbi
Lufta kundër korrupsionit merr një trajtë më të thjeshtë kur një zyrtar i lartë apo një gjykatës ndëshkohet, por kjo është vetëm një pjesë e luftës dhe nuk është pjesa themelore e saj.Kemi parë shumë eksperienca që në emër të luftës kundër korrupsionit kanë sjellë shkelje të lirive, të drejtave të njeriut, deformime të rënda të sistemit demokratik ashtu sikundër kemi eksperiencat kuptimplota të vendeve të zhvilluara të BE ku është e paimagjinueshme që me një bakshish të pakërcesh kontrollin e policisë apo të fusësh dorën në xhep për të marrë një shërbim në spital, apo të paguash për të marrë dokumentin hipotekor.

Problemi i korrupsionit në sistem, të mbyllim hapësirat
Është e paimagjinueshme të shohësh në rrugët e Gjermanisë një shqiptar që nget makinën pa rripin e sigursë, por unë kam parë gjermanë në Shqipëri që ngasin makinën pa rripin e sigurisë. Dhe kjo lidhet me sistemin nuk lidhet me njerëzit. Nuk janë gjermanët nga genet e natyrës të pakorruptueshëm dhe shqiptarët gjenetikisht të korruptueshëm.Por është sistemi në të cilin jetojnë dhe bashkëveprojnë njerëzit që u krijon atyre hapësirë ose jo për tu korruptuar dhe i krijon korrupsionit hapësirë.Përmes korrupsionit fitohen të drejta për të shkelur të drejta, fitohen monopole, fitohen grada të pamerituara si deri pak kohësh. Lufta kundër korrupsionit në thelbin e vet është modernizim, modernizim, vendosje e shtetit në pozitat që të mos e ketë korrupsion as konkurent, as alternativë.

Trashëguam sistemin arsimor më të korruptuar, tre shtylla për ta zbrapsur
Kemi trashëguar sistemin arsimor më të korruptuar në Europë. Për shkak të korrupsionit kemi arritur të kemi numrin më të madh të Universiteteve për frymë në Europë, të doktorave të shkencave, kemi krijuar një situatë tragjike për një gjeneratë të tërë duke ushqyer një iluzion të madh në këmbim të marrjes së parasë në mënyrë indirekte dhe direkte. Kemi diplomuar qindra italianë që nuk kanë ardhur asnjëherë në Shqipëri. Përgjigjia ndaj kësaj situate është reforma.Krijimi i tre kushteve themelore për të zbrapsur korrupsionin, e para konkurencës së lirë, qëndrimit ose jo në institucionet e arsimit të lartë sipas meritës dhe e treta cilësisë së shërbimit të bazuar në kritere dhe standarde të qarta, akreditimin. Dhe jo përmes një agjencie shqiptare sepse shqiptarët me pak mundim dalin të gjithë kushurinj, por një agjenci ndërkombëtare.Jam i bindur se vendosja e këtyre tre shtylla do ta bëjë sistemin tonë të arsimit të lartë shumë më imun ndaj korrupsionit. Heqja e të drejtës së fitimit dhe kalimit nga Universitete private me qëllim fitimi në Universitete publike të financuara nga privatët është një tjetër hallkë që i mbyll derën korrupsionit.

Shumë për të bërë dhe në spitale, beteja jonë modernizimi
Jemi shumë të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë në spitale. Në një shtet modern është e pamundur të paraftyrohet të kërkosh para për të bërë detyrën tënde sepse nuk je më zotërues i monopolit të të drejtës së kërkon tjetri, por je pjesë e sistemit dhe kjo është beteja jonë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment