Rama: Reforma në drejtësi në përputhje me Kushtetutën

rama  4545Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se “koha kur Këshilli i Ministrave apo Kuvendi i Shqipërisë ishin trupa prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur, lavdi Zotit, bashkë me diktaturën e proletariatit”. Lidhur me ngjarjet më të fundit në vend, shefi i qeverisë shqiptare bën me dije se do të flasë të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”.

Por Rama shkruan se “e kush kujton se ilaçi për të shëruar drejtësinë e rrënuar nga kanceri i korrupsionit, është që kryeministri të bëhet kryeprokuror dhe qeveria të bëhet gjykatë speciale, ose është shumë i paditur ose është krejt i dalë mendsh”.

Më poshtë postimi i plotë i Kryeministrit Rama në “Facebook”:

“Fjalët mbrapsht!”, thoshim kur ishim fëmijë e gjendeshim nën rrebesh fjalori vulgar, sepse na kishin thënë se kështu laheshim pa u bërë pis…

M’u kujtua kjo armë fëminore e asaj kohe të largët mbrëmë vonë tek lexoja dufzbrazjet në adresën time këtu. Disa prej të revoltuarve nga një vendim gjykate ishin lëshuar tek kjo dritare me ç’u vinte në gojë kundër qeverisë dhe meje vetë. Do të doja të bëja një shënim shterrues për ta sot, duke e nisur nga kujtesa elementare se adresa e këtushme s’është adresë gjykate. Unë s’jam as prokuror e as gjykatës. As jam zotuar apo kam menduar ndonjëherë se mund të bëhem kryeprokuror apo kryegjykatës duke u bërë kryeministër. Koha kur Këshilli i Ministrave apo Kuvendi i Shqipërisë ishin trupa prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur, lavdi Zotit, bashkë me diktaturën e proletariatit. Kush ka provuar ta ringjallë ka bërë veç padrejtësira të mëdha e pastaj ka thyer qafën. E kush kujton se ilaçi për të shëruar drejtësinë e rrënuar nga kanceri i korrupsionit, është që kryeministri të bëhet kryeprokuror dhe qeveria të bëhet gjykatë speciale, ose është shumë i paditur ose është krejt i dalë mendsh. Kaq në parim, sepse lidhur me rastin konkret të ditës së djeshme, do të duhej një shtjellim i gjatë për të gjithë ata që s’kuptojnë se si, mund të nxirren sytë duke vënë vetullat kur qeveria e shumica parlamentare ngatërrojnë reformën në drejtësi, detyrë e pushtetit të tyre kushtetues, me hetime e gjykime veprash penale, detyrë e pushtetit të pavarur gjyqësor.

Por nuk dua t’u marr kohë as punëve të njëpasnjëshme ditës që vazhdon, e as atyre që fatmirësisht janë shumica dhe sado të mërzitur a të revoltuar qofshin, dinë ta bëjnë kollaj dallimin mes qeverisë, prokurorisë, gjykatës. Prandaj, për këdo që e meriton të plotë reagimin tim pas dufit të zbrazur në tym dje këtu a gjetkë në rrjetet sociale, si edhe për të gjithë publikun e interesuar e të shqetësuar lidhur me reformën në drejtësi, po edhe me përgjegjësitë për skandalin e Bankës së Shqipërisë në veçanti, do të flas mbrëmjen e të enjtes në “Opinion”, përballë gazetarit Blendi Fevziu.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment