Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi të enjten në mbrëmje, se mbështet kandidaturën e një Guvernatori të huaj, të përzgjedhur mes personalitetesh me autoritet botëror në fushën e sistemit financiar dhe bankave qendrore.
Kryeministri Rama foli për situatën më të fundit të krijuar në Bankën e Shqipërisë pas arrestimit të ish-Guvernatorit dhe punonjësve të tjerë të kësaj banke, për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve.
Duke e cilësuar këtë një situatë të jashtëzakonshme që kërkon një përgjigje të jashtëzakonshme, Kryeministri u shpreh se i ka kërkuar Presidentit të konsiderojë kandidaturën e një Guvernatori të huaj, i cili do t’i jepte BSH-së gjithçka i duhet për të kapërcyer këtë ngërç të madh, por edhe për të shkuar më tej në të ardhmen.
Kryeministri theksoi se kjo nuk është një gjë e panjohur, ndërsa solli shembullin e Anglisë, Banka Qendrore e së cilës drejtohet nga një Guvernator i huaj. Sipas tij, “ka shumë eksperienca ku për të drejtuar bankën qendrore shtete shumë të mëdha dhe serioze i drejtohen personaliteteve serioze të huaja”. “Për këtë kemi diskutuar me FMN-në dhe BB-në dhe për institucionet ndërkombëtare nuk përbën asnjë surprizë kandidatura e një guvernatori të huaj”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se për këtë çështje ka një mirëkuptim me Presidentin e Republikës dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për funksionimin e të njëjtit mekanizëm, si në rastin e rrëzimit të dekreteve të Presidentit nga shumica në Kuvend.
Ndërkohë duke bërë një kronologji të ngjarjes pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së BSH-së, Kryeministri Rama tha se “për këtë u informua nga ish-Guvernatori Fullani”. Ai theksoi se nuk i ka kërkuar në asnjë rast dorëheqjen Fullanit, pasi respektonte plotësisht pavarësinë e BSH-së.
Kryeministri u shpreh se për arrestimin e ish-Guvernatorit Fullani nuk ka qenë i informuar paraprakisht dhe se masa e marrë nga prokuroria është tërësisht kompetencë e saj. “Punën e Guvernatorit Fullani e kam çmuar pozitivisht për gjithë periudhën që kam punuar me të në BSH dhe kjo nuk ndryshon pas asaj që ndodhi. Por ajo që ndodhi kërkon që hetimet të shkojnë deri në fund dhe ndëshkimet deri në fund”, tha Rama.
Duke i’u përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha sipas së cilit Edi Rama ka nxitur arrestimin e Fullanit, Kryeministri e cilësoi atë si “të pangushëllueshëm, një ndjekës të rëndomtë të rrjeteve sociale”. “Krime të shumta si Gërdeci dhe 21 Janari janë amnistuar përkohësisht në gjykatat e një kryeministri si ai, që kontrollonte gjykatat dhe dhunonte prokurorinë. Shqipëria nuk ka më një pushtet që sundon, por ka një qeveri që shërben dhe unë nuk kam asnjë lloj lidhje dhe influence mbi prokurorinë dhe gjykatat e këtij vendi, në kuptimin e influencës për të marrë kompetencat e tyre dhe për t’i shpërdoruar ato”, tha Rama.
Ajo që nevojitet, sipas tij, “është transformimi i këtij sistemi skandaloz përmes një reforme të thellë të drejtësisë”. Në këtë drejtim, Rama e konsideroi absurditet faktin që ish-Guvernatori proçedohet në “Arrest shtëpie” ndërsa qëndron në burg një grua që nuk përbën rrezik për shoqërinë, siç është ish-kryeinspektorja e Përgjithshme e BSH-së.
Ndërkohë, Kryeministri Rama theksoi se “Këshilli Mbikqyrës i BSH-së nuk ka bërë detyrën e vetë, ndërsa asnjë nga anëtarët e tij nuk ka punuar qoftë edhe 1 minutë në një bankë. “Ne kemi bërë një thirrje dhe sot kam parë që janë 32 aplikantë që punojnë në institucionet financiare jashtë Shqipërisë që kanë shprehur interesin e tyre në këshillin e ardhshëm”, tha Rama.
Kryeministri mbajti qëndrim edhe ndaj reagimit shumë të fortë qytetar dhe zhgënjimit shumë të madh nga vendimi i gjykatës për kalimin e Fullanit nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.
“Në këtë situatë më ka shqetësuar një klithmë për gijotinë. Klithma për gijotinë, në historinë e njerëzimit dhe të këtij vendi nuk ka sjellë asnjëherë asnjë gjë të mirë. Marrja e fuqive nga pushteti gjyqësor tek pushteti ekzekutiv dhe transformimi i qeverisë në prokurori nuk është zgjidhja dhe alternativa”, tha Rama.
Ai shtoi se zgjidhja nuk është që kryeministria të nëpërkëmbë pavarësinë e gjyqësorit, por të transformojë gjyqësorin. ‘Është shumë e qartë se kemi një pushtet gjyqësor të kalbur, të kapur dhe të gjunjëzuar që është një koorporatë që punon për përfitime personale. Ne nuk mund të tolerojmë këtë lloj pushteti gjyqësor tërësisht selektiv dhe të korruptuar që i ka hequr shpresën shqiptarëve”, tha Rama.