Rama i hap dyert Kinës: Investoni tek ne dhe do të bëhemi trampolina juaj për në Europë

edi ramaShqipëria i hap dyert Kinës dhe e fton bujarisht që ta përdorë si trampolinë për t’u hedhur në Europë e madje, garanton se nëse marrëdhënia midis dy vendeve do të bëhet edhe më e ngushtë, Kina drejt Evropës do të depërtojë pa asnjë pengesë tregtare.

Ftesën e drejtpëdrejtë dhe të hapur e ka bërë sot, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalimin e tij mbajtur në Universitetin e Financave dhe Ekonomisë së Tianjinit në Kinë, ku ndodhet për të ndjekur Forumin Ekonomik Botëror të Davosit.

“Unë mendoj se ky është një çast i ri në historinë e Ballkanit, – tha Rama, – dhe mund të përbëjë një nxitje për t’i kthyer marrëdhëniet shqiptaro – kineze në një trampolinë për Kinën në rajon dhe në Bashkimin Europian, në mënyrë të veçantë derisa Shqipëria të anëtarësohet në BE. Me një bashkëpunim më të gjerë midis Kinës dhe Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit, Kina mund bëjë tregti dhe biznes në Europë pa pasur pengesa tregtare, – theksoi Kryeministri.”

Rama ftoi investitorët kinezë të afrohen në Shqipëri, pasi modeli i ri ekonomik i “Rilindjes” u krijon atyre lehtësi dhe hapësira për të investuar në vendin e tij.
“U bë një vit tani që Qeveria e re, – nënvizoi ai, – ka nisur ndërtimin e një marrëdhënieje partneriteti me biznesin dhe investitorët. Në këtë drejtim, e dinim që gjëja e parë që duhej bërë ishte hartimi i një numri rregullash të qarta për të bërë biznes në vendin tonë.

Në një vend që arrin të ushqejë 1.4 miliardë njerëz, teksa ka vetëm 10 % të tokës së punueshme të botës, por, nga ana tjetër, siguron mbajtjen e 20 % të popullsisë botërore, është e qartë se shumë e dinë se çfarë do të thotë t’i bësh gjërat. Kjo është një arsye shtesë pse ne duam të kemi më shumë marrëdhënie bashkëpunimi me Kinën dhe i nxitim investimet kineze në fusha të ndryshme, si bujqësia, turizmi, energjetika, infrastruktura etj.

Për sa i përket sektorit të manifakturës që punëson një ndër katër veta që nuk punon në bujqësi, Shqipëria ka gjeografikisht dhe nga ana logjistike një pozicion shumë të mirë për t’u shërbyer tregjeve europiane.

Së fundi, Qeveria ka prezantuar një paketë për prodhuesit duke iu ofruar hapësira shtetërore me kosto 1 euro në vit për disa vite në mënyrë që ata të ofrojnë trajnim profesional për punonjësit dhe të mbulojnë shpenzimet e sigurimeve shoqërore.
Nga ana tjetër, rritja e tregut të energjisë ka një potencial të madh dhe mundësi për hidroenergjinë, por edhe në tregun e gazit dhe të gazifikimit, ku gazsjellësi TAP do ta sjellë gazin nga Azerbajxhani në Shqipëri dhe më tej nëpërmjet Mesdheut dhe Rajonit të Europës Juglindore në shumë vende të tjera.

Shqipëria numëron rreth tre milionë konsumatorë, – nënvizoi kreu i Qeverisë shqiptare, – por së bashku me vendet e tjera të Ballkanit ne arrijmë në 60 milionë, një treg që nuk mund të neglizhohet për kapacitetin dhe pozicionin gjeografik.”

Gjatë fjalimit të tij, Rama kujtoi rëndësinë e marrëdhënieve të shkuara dhe domosdoshmërinë e rindërtimit të tyre në kushtet e reja; ai bëri ftesë për shkëmbime në fushën e arsimit dhe në veçanti, të sportit të basketbollit.

Ai iu prezantua, pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Financave që në fillim me këto fjalë: “Nëse jeni të befasuar që unë e njoh Universitetin tuaj, ju lutem të mos jeni: unë jam ish-basketbollist… Fitimi i 9 kampionateve kombëtare universitare nuk është diçka që një sportist mund ta shpërfillë, veçanërisht tani që ne po përpiqemi t’i ringjallim kampionatet universitare.

Në fund të viti 222 studentë shqiptarë siguruan një bursë nga qeveria kineze. Ky është një numër i mirë, por unë mendoj se ka më shumë mundësi dhe ne duhet të ndajmë më shumë krijimtari në bashkëpunimin tonë.

Kjo nuk është vetëm për basketbollin, por për fusha të ndryshme, pavarësisht se unë do të dëshiroja shumë të kishim një kampionat universitar basketbolli dhe një ekip universitar basketbolli në Shqipëri.”

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment