Rama: Guvernatori i ri s’do jetë asnjë figurë politike do të vijë nga financat

rama“Mos u mundoni ta gjeni Guvernatorin mes politikanëve apo ish-politikanëve.  Asnjë figurë politike e sotme e djeshme apo e pardjeshme nuk është pjesë e këtij procesi. Guvernatori i ri do të vijë nga sistemi financiar.”

Kjo është deklarata me të cilën  kryeministrit Edi Rama mbylli konferencën për median të thirrur sot në orën 13:30 minuta në kryeministri, për situatën e re të krijuar në Bankën e Shqipërisë- pas arrestimit të Guvernatorit Ardian Fullanin dhe shkarkimin e tij nga Këshilli Mbikqyrës.

Kryeministri foli për menaxhim të situatës me qetësi  dhe në mënyrë sa më korrekte: “Do veprojmë shpejt me vendosmëri e pa u ngutur dhe do të respektojmë në çdo hap pavarësinë e institucionit”

“Nuk jemi në kushtet kur na duhet të nxitojmë me të madhe, port ë ruajmë qetësinë të veproimjë me shpejtësi por pa u ngutur dhe të bëjmë gati dhe të procedojmë me vendime të drejta për të cilat të marrim edhe pëlqimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, FMN, e BB”  tha Rama i cili shtoi se ngërçi ku ndodhet Banka ka të bëjë me një problem të administrimit të brendshëm të saj dhe se nuk ka asnjë lidhje me sistemin financiar.

Kryeministri u shpreh i hapur të takohet me kreun e opozitës Lulzim Bashën për këtë situatë por shtoi se nuk do të bëjë asnjë ftesë pasi boll ftesa më ka refuzuar.

Pjeset kryesore te konferences 

Guvernatori i ri s’do jetë asnjë figurë politike

Rama: “Duam ti japim BSH një guvernator që menjëherë të përshëndetetet ndërkombëtarisht si një zgjidhje e pakontestueshme profesionale e morale.  Sa i takon se nga do të vijë do e shikojmë por sigurisht nga sistemi financiar dhe bankar. Asnjë figurë politike e sotme e djeshme apo e pardjeshme nuk është pjesë e këtij procesi. Guvernatori i ri do të vijë nga sistemi financiar. Janë të përjashtuar automatikisht.  Asnjë nga emrat e hamëndesuar në media nuk është. Ky nuk është një proces ku shumica do të vendosë kartonat apo për të pozicionuar aty ku poziconesh profile që politizojnë procesin apo nuk forcojnë BSH ”  tha Rama duke dhënë dhe një këshill për gazetarët: “Mos u mundoni ta gjeni Guvernatorin mes politikanëve apo ish-politikanëve.”

Jam gati të takohem me Bashën por s’i bëj ftesë se mjaft më janë refuzuar

Rama: “Nuk do të përdorim shumicën për të politizuar procesin apo për të cënuar pavarësinë e BSH-së. Do të përdorim patjetër votat. Nëse opozita do e shohë si moment të rëndësishëm për tju kthyer detyrës e mirëpres dhe unë jam gati të takohem me kreun e PD-së për të këmbyer pikëpamjet, por s’kam ftesë pasi boll ftesa më janë refuzuar. Por jam i hapur”

Rama: Nuk janë hapur vende pune për Guvernator

Rama: “Është e rëndësishme që të gjithë të marrin një mesazh të qartë që nuk janë hapur vende pune në Këshillin Mbikqyrës të BSH dhe nuk është hapur një vend i ri për Guvernatorin e BSH. Ne do t’i trajtojmë pozicionet në fjalë me të gjithë respektin e dinjitetin e një shumice qeverisëse që do i provojmë shqiptarëve që është në gjëndje të moderizojnë dhe rrisë cilësinë e performancës së institucionit,” deklaroi Rama.

Rama amniston “skuadrën e re” drejtuese :Mbështetje, s’kanë lidhje me vjedhjen

Referuar takimit në selinë e Bankës Qëndrore, Rama tha se i ofroi mbështetje skuadrës së re të drejtuesve teknik të BSH, të cilët sipas tij nuk kanë asnjë lidhje me vjedhjen e Thesarit. Nuk dihet nëse me skuadër, Rama nënkuptoi si pjesë të saj edhe Guvernatoren e re në detyrë.

Pasi nëse do ishte këtu, nuk do të ishte në të njëjtën linjë me deputetin e tij Braçe, që në gjykimin e tij Gjoni është po aq fajtore sa Fullani për vjedhjen.

“Sapo bëra një takim me ekipin drejtues teknik të BSH-së dhe shkova ti takoja sepse besoj se ajo skuadër e cila nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur dhe që ka meritën vit pas viti dhe në një ecuri konstate vitesh të ketë garantuar performancën e qëndrueshme dhe të vlerësuar botërisht të BSH-së nuk meriton të vuajë asnjë lloj presioni e të ndihet në asnjë lloj trysnie, por meriton të mbështetet, inkurajohet dhe sigurisht të ndihet e vlerësuar edhe në këto momente kur në kushtet shumë të vështira pskikologjike të BSH vazhdon të garantojë funksionimin normal, duke garantuar që gjithë sistemi financiar të funksionojë normalisht”.

Jam takuar me Nishanin dhe me FMN

Rama: “Dje takova Nishanin pasi pata kontaktin e parë me Ilir Metën. Patëm një shkëmbim të hapur. Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm. Unë jam takuar dy herë me përfaquesit e FMN-së. Jam besimplotë se do të identifikojmë shpejt por pa u ngutur rrugën më të qëndrueshme për ta cuar bankën edhe një shkallë më lartë se ishte përpara shfaqjes së këtij probleme qoftë sa I takon reputacionit qoftë dhe profesionalizmit.”

Nuk do bëhmë ndryshime tërësore në ligjin e Bankës

Rama: “Gjëja e fundit është që të bëjmë ndryshime në tërësinë e ligjit menjëherë, do të marrim kohën e duhur dhe do të diskutojmë në qetësi të plotë.  Nëse do të duhet ndryshime në ligj për të plotësuar nevojat e momentin dot i bëjmë dhe ato. “

Ajo çka ndodhi s’ka lidhje me sistemin financiar

Rama: “Gjithçka ka ndodhur këtë javë solli në vëmendje të gjithë opinionin publik një problematikë të brendshme të BSH-së që sigurisht duhet adresuar dhe zgjidhur sa më parë. Por është po kaq e rëndësishme që në këtë zhurmë të kuptueshme nën këto tam tame të vazhdueshme e të përditshme që kanë vazhduar këto ditë, të theksohet fort se ngërçi ku ndodhet BSH ka të bëjë me një problem të administrimit të brendshëm të Bankës dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin financiar. Gjë që do kishte qenë realisht një problematikë e madhe për sektorin bankar. Fatmirësisht nuk jemi gjëkundi në ato kushte dhe stabiliteti financiar është tërësisht i pacënuar dhe i garantuar”tha ai.

Takime intensive, do forcojmë pavarësinë e  BSH

Rama foli për takime intensive të tij dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë “të imponuara nga vendim marrjet e duhura nga qeveria dhe parlamenti”; dhe për një besim se “kjo krizë administrimi e BSH-së  mund dhe do të kthehet në një mundësi të re për Bankën e Shqipërisë pa cënuar pavarësinë e saj por duke thelluar transparencën”

“Kemi treguar se mund të sjellim ndryshim dhe të njëjtën gjë do të bëjmë sërish. Do të tregojmë se jo vetëm jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e pavarësisë së Shqipërisë por se jemi në gjëndje të ndërtojmë sisteme moderne të drejtimit të vetëkontrollit në BSh që jo vetëm ky episod dramatik të mos përsëritet më por edhe që gjithçka e mirë dhe e mirënjohur si e tillë që BSH ka ndërtuar këto vite të shkojë më tutje.

Drejtësia t’i shkojë deri në fund hetimit të skandalit 

Rama: “Nëse ky është hapja e siparit nga ana e prokurorisë për të luftuar shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin apo gjithë fenomenin në tërësi që ka rraskapitur Shqipërinë deri në nivelet e larta këtë nuk e tregon ky rast por koha nëse do të ketë një rast të dytë të tretë të kartë apo të pestë. Ky rast në vetvete është ky që kemi thënë: Një rast për tu hetuar dhe për ti shkuar deri në fund. Pasi bëhet fjalë për një skandal që nuk mund të kapërcehet dhe as të harrohet në një proces të zvarritur e hetimor e gjyqësor. I takon drejtësisë të thotë fjalën e fundit. Në asnjë moment nuk duhet të ngatërrojmë rolet.”

Detyra jonë është të marrim vendimet e duhura për të cuar më tutje deri në një nivel më të lartë profesional punën e BSH-së dhe të japim mbështetjen e nevojshme stafit e drejtuesve teknikë dhe stafit e drejtuesve që nuk kanë lidhje me këtë vjedhje”

Konferenca zgjati gati një orë dhe u mbajt menjëherë pas takimit në selinë qëndrore të Bankës së Shqipërisë me drejtuesit aktual të BSH-së. Ndërkohë dje zhvilloi takime me kryetarin e Kuvendit, aleatin e ngushtë Ilir Meta, Presidentin Nishani.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment