Rama: Arsimi profesional, rrugë e sigurt drejt punësimit

ramaKryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën, gjatë përurimit të shkollës profesionale austriake “Hermann Gmeiner”, në Tiranë, se “arsimi profesional është një rrugë e sigurt drejt punësimit”.
Kryeministri theksoi se aktualisht jo vetëm ka një rritje të kërkesës për arsimin profesional, por konkretisht kjo shkollë nuk mund të përballojë dot fluksin e kërkesave që ka pasur.
“Jemi dëshmitar se si më parë, shkollat profesionale të hapura në ato pak raste, kanë dështuar sepse janë ndërtuar mbi një model tërësisht të vjetër dhe të gabuar. Shkolla profesionale që nuk kishin asnjë lidhje me tregun, biznesin dhe njerëzit e sipërmarrjes”, tha Rama.
Në këtë drejtim, ai çmoi si shumë të rëndësishëm faktin që programet e shkollave profesionale sot po ndryshojnë në mënyrë përmbajtësore, duke bërë që 30 për qind e ngarkesës mësimore të zhvillohet jashtë shkolle, në mjediset e biznesit. “Kjo nuk është maksimumi, duhet të arrijmë në nivelet e 50 për qind, pra duhet të ketë një ndarje të barabartë mes kohës që nxënësit kalojnë në shkollë dhe marrin teorinë dhe kohës që bëjnë praktikë në mjediset e biznesit”, tha Rama.
Ndaj dhe Rama tha se në bordet e shkollave sot po përfshihen sipërmarrës sipas profileve dhe interesave të tregut, në raport me shkollën përkatëse. Sipas tij, “përfshirja e sipërmarrësve bën që për nxënësit, por edhe për mësuesit, të ketë një urë të vazhdueshme komunikimi”.
Duke faktuar me statistika konkrete kthesën që po shënohet në drejtim të një qasje të re ndaj arsimit profesional, Rama tha se “të dhënat e fundit të punësimit stregojnë se ata që kanë ndjekur arsimin profesional në 62.4 për qind të rasteve janë punësuar, ndërsa ata që kanë ndjekur gjimanzin janë punësuar në 44.2 për qind të rasteve”. Pra, sipas tij, “20 për qind më shumë mundësi punësimi kanë pasur ata që kanë ndjekur arsimin profesional”.
Ndërkohë, duke iu referuar kuadrit të përgjithshëm të papunësisë, Rama tha se vetëm 15 për qind e atyre që kanë një diplomë profesionale janë pa punë.
“Rimëkëmbja e arsimit profesional ka filluar në mënyrë shumë të ndjeshme pasi ne po prekim nivelin 40 për qind më shumë të nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, çka është një tregues që flet vetë se sa e drejtë është zgjedhja që kemi bërë. Numri i përgjithshëm i nxënësve që sot regjistrohen në arsimin profesional është një rekord që nuk arrihet që nga vitit 1994”, tha Rama.
Për të dëshmuar rritjen e punësimit për personat që vijnë nga arsimi profesional, Kryeministri ofroi të dhënat e regjistruara nga taksat dhe tatimet, ku në sektorin privat, vërehet një rritje punësimi me 32 096 persona në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë.
Ajo që bën përshtypje, tha ai, është përsëri fakti se ata që disponojnë një diplomë të arsimit profesional kanë përqindjen më të madhe të të punësuarve.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment