Qeveria e re e Kosovës merr votëbesimin

kosovrKuvendi i Republikës së Kosovës miratoi sot qeverinë e re me Kryeministër Isa Mustafën.

“Konstatoj se me 73 vota pro, 38 kundër e 2 abstenime, Kuvendi zgjodhi qeverinë e re të Republikës së Kosovës me kryeministër Isa Mustafën”, konstatoi pas votimit të hapur kryeparlamentari Kadri Veseli dhe uroi të zgjedhurit.

Më pas qeveria e re dha betimin, pasi të sapozgjedhurit zunë vendet e tyre në krye të sallës së seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Ne anëtarët e Qeverisë së Kosovës, të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, betohemi solemnisht se me përgjegjësi, me përkushtim dhe ndershmëri do t’i kryemë të gjitha detyrat dhe punët që i kemi sipas mandatit të dhënë nga ky Kuvend, gjithmonë duke zbatuar Kushtetutën e Reublikës së Kosovës, ligjin dhe vendimet e miratuara, duke respektuar parimet, normat dhe standardet ndërkombëtare për liri, barazi, demokraci, në interes të përparimit ekonomik, arsimor, kulturor, të gjithëmbarshëm, të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Betohem!”, ishte teksti i betimit që e lexoi kryeministri i sapozgjedhur, Isa Mustafa, i cili edhe u falënderua për besimin e dhënë me rastin e votimit të tij dhe kabinetit qeveritar nga Kuvendi kosovar.

Pranim-dorëzimi i detyrës nga kryeministri Hashim Thaçi tek kryeministri i sapozgjedhur i qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, do të bëhet në 12 dhjetor 2014, ditë e premte, në ora 14:00, bën të ditur zyra e Kryeministrit kosovar.

Para katër viteve 12 dhjetori ishte dita e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohëshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e para katër viteve u mbajtën në 12 dhjetor 2010. Ato zgjedhje ishin të jashtëzakonshme pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës në 2 nëntor 2010, që ishte shpërndarja e parë në historinë e parlamentarizmit kosovar, që u pasua me të dytën në 7 maj 2014.

Kabineti i ri qeveritar:

Isa Mustafa- kryeministër

Hashim Thaçi- zv.kryeministër

Kujtim Shala- zv. kryeministër

Ministër i Punëve të Jashtme – Hashim Thaçi

Ministria e Financave – Avdulla Hoti

Ministria e Infrastrukturës- Lutfi Zharku

Ministria e Drejtësisë – Hajredin Kuci

Ministria e Zhvillimit Ekonomik- Blerand Stavileci

Ministria e Bujqësisë- Memli Krasniqi

Ministria e Diasporës- Valon Murati

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Arsim Bajrami

Ministria e Integrimit Evropian – Bekim Qollaku

Ministria e Mjedisit- Ferid Agani

Ministria e Punëve të Brendshme – Skender Hyseni

Ministria e Shëndetësisë – Imer Rrahmani

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – Hikmete Bajrami

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës – Haki Demolli

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Kujtim Shala

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Arban Abrashi

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Aleksandër Jablanovic

Ministri pa Portofol- Edita Tahiri dhe Arsim Demiri.

Submit a comment