Qeveria, ndryshime në vendimin për zhvillimin e tenderit publik për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave.
Këshilli i Ministrave vendosi gjatë mbledhjes së sotme për një ndryshim në vendimin nr.1252, datë 10.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të zhvillimit të tenderit publik për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave”, të ndryshuar.
Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pikat 1 e 3, dhe 69, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në dokumentin “Rregullat e zhvillimit të tenderit publik për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave”, që i bashkëlidhet vendimit nr.1252, datë 10.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pika 4.4, e kreut III, “Zhvillimi i procedurave”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.