Qeveria, 125 milion dollarë në 2015-ën për Rilindjen Urbane

NikoQeveria Shqiptare ka  alokuar një fond prej 125 milion dollarësh për të rilindjen e qyteteve shqiptare, tha të premten nga Korça, Zv/kryeministri Niko Peleshi.

I pranishëm në Forumin për Zhvillimin Urban në Shqipëri, zv/Kryeministri Peleshi theksoi se qeveria shqiptare ka në fokus rilindjen e qendrave urbane. “Në planin tonë të punës është bashëkpunimi me aktorët e zhvillimit ekonomik rajonal e urban për t’i dhënë një impuls pozivit, zhvillimit ekonomik në qendrat urbane të Shqipërisë”.

“Ne, vijoi Peleshi, kemi alokuar një fond prej 125 milion dollarësh për vitin 2015 me qëllim rilindjen e qyteteve. Risia e këtij projekti, theksoi numri dy i qeverisë shqiptare është se përmes këtij fondi, duam t’i japim një hov cilësor zhvillimit të qendrave urbane dhe akoma më tej, ne duam që këtë hov t’ia përcjellim ekonomisë përmes bashkëpunimit me aktorët e zhvillimit, me qëllim që vendimet tona të jenë koherente me rrugën e aktorëve të zhvillimit dhe jo të interesit personal, siç ka ndodhur më herët”.

Sipas Zv/Kryeministrit ka ardhur momenti t’i japim fund tranzicionit në Shqipëri, dhe ky tranzicion nuk është vetëm ekonomik e shoqëror, por edhe tranzicion vlerash. “Ne jemi duke inkurajuar Bashkitë për të aplikuar me vepra urbane që shkojnë përtej përmirësimit infrastrukturor, por që japin një hov afatgjatë në këtë zhvillim.

Kam bindjen, theksoi Peleshi se ky tranzicion që Shqipëria po përjeton është dhe një tranzicion vlerash. Pasi në vitet 90-të, veç sistemit politik dhe ekonomik shembëm dhe sistemin e vlerave dhe nisëm të qasnim vlerat europiane dhe kapitaliste, që në njëfarë mënyre ranë ndesh me vlerat tona të dikurshme duke krijuar keqkuptime. Ne shembëm një mënyrë të menduarit dhe nisëm mbi ato gërmalla, të ndërtonim vlera të reja në shoqëri dhe nuk kuptuam si ka mundësi që ai individ “harroi” sensibilitetin shoqëror dhe u rend pas interesit vetja, por ky ishte gabim, pasi të gjithë duhet të dimë dhe të kuptojmë që edhe në kapitalizëm interesi personal, nuk mund të bjerë kurrë ndesh me interesin shoqëror, prandaj dhe riorganzimi i qendrave urbane mbi këtë parim është thelbësore”, nënvizoi Peleshi.

Në fund, Zv/Kryeministri i vendit theksoi se duhet t’i rikthehemi dhe qendrave kulturore dhe bibliotekave, por më parë duhet të ngrejmë një infrastruturë moderne. “Është e vërtet që një vajzë nga Gramshi, teksa ishim në një vizitë në atë qytet nuk na kërkoi rrugë apo kanalizime, por na kërkoi një bibliotekë dhe ajo ka plotësisht të drejtë, pasi duhet të rikthejmë qendrat kulturore dhe kjo do të bëhet, por fillimisht duhet të punojmë që të gjitha qendrat urbane shqiptare të kenë një infrastrukturë të denjë dhe europiane, prandaj fillimisht fondet do të alokohen në rilindjen e zonave urbane dhe rinisjen e zhvillimit ekonomik e social të tyre”, theksoi Peleshi, ndërsa apeloi që të mbështesim iniciativat krijuese të Kryebashkiakëve që lënë mënjanë interesat elektorale.

Submit a comment