Pse SHBA-ja, nuk mbështet hapur protestat në Moskë dhe Hong Kong

Nga Cornelia Meyer “Arab News”

Kur regjimet autoritare dalin kundër protestuesve, që të dyja palët e shohin veten në një situatë të pakëndshme. Fundjava e kaluar, e provoi sërish këtë. Në Hong Kong, protestat nisën 9 javë më parë, për kundërshtimin e ligjit të ekstradimit, të cilin forcat pro-demokracisë pretendojnë se do të minojë Ligjin Themeltar, marrëveshjen kushtetuese të vitit 1982 të arritur midis kryeministres së atëhershme të Britanisë së Madhe, Margaret Theçër dhe homologut të saj kinez, Zhao Zijang.

Ligji Themeltar, e vë theksin tek marrëdhënia e veçantë e Hong Kongut me Kinën, që zakonisht quhet “një vend, dy sisteme”, dhe nënshkrimi i tij ishte thelbësor për dorëzimin e territorit nga Britania në vitin 1997. Protestat e fundit masive në Hong Kong ndodhën në vitin 2014, me të ashtuquajturën Lëvizje të Ombrellave.

Atëherë ishin studentët dhe të rinjtë, që kërkonin më shumë demokraci. Tani, mbështetja për protestat, ka qenë më e gjerë, me drejtuesit e biznesit që  kundërshtojnë ligjin e ekstradimit, për shkak të paralajmërimeve se kjo mund të çojë në një kontroll më të rreptë nga Pekini, një veprim që do të dëmtonte ekonominë e Hong Kongut.

Megjithë pezullimin e përhershëm të ligjit në fjalë, dhe një oferte nga Kerri Lam, guvernatorja e qytetit, për të dhënë dorëheqjen, protestat në Hong Kongut janë acaruar gjithnjë e më shumë, duke u shndërruar herë pas here në të dhunshme.

Qeveria kineze, pa teksa u pushtua nga protestuesit parlamenti lokal i Hong Kongut. Një grevë e përgjithshme të hënën, shkatërroi qendrën e biznesit, dhe detyroi anulimin e qindra fluturimeve. Qeveria kineze, ministria e Jashtme dhe Lam, kanë paralajmëruar se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë.

Duket se është vetëm çështje kohe, para se Pekini të detyrohet të ndërhyjë. Kjo nuk ka ndodhur deri tani, vetëm sepse formula “një vend, dy sisteme” ofron përfitime ekonomike për Kinën. Nëse veprimtaria ekonomike bie dhe ky përfitim zhduket, Hong Kongu do të humbasë dobinë e tij për Pekinin.

Ndërkohë, edhe Moska ka përjetuar protesta të mëdha. Në Rusi, ka gjithnjë e më shumë protesta që nga viti 2017, si pasojë e zemërimit të qytetarëve ndaj korrupsionit në qeveri, dhe rritjes të moshës së daljes nëpension. Gjatë dy javëve të fundit, protestat në kryeqytetin rus kanë shprehur zemërim për mungesën e qasjes në zgjedhjet bashkiake të qytetit.

Ato u ngjajnë demonstratave të 2012, që kundërshtonin rikthimin e Vladimir Putinit në presidencë, për shkak të kërcënimit që ai përfaqëson ndaj të drejtave civile. Kreu i opozitës, Aleksei Navalni u arrestua për 30 ditë. Protestat e fundjavës së kaluar në Moskë, u trajtuan me ashpërsi nga autoritetet, me më shumë se 1.000 njerëz të arrestuar.

Sergej Sobjanin, kryetari i bashkisë së Moskës dhe një njeri i besuar i udhëheqësit rus, po mendon tani të ngrejë akuza për trazira ndaj demonstruesve, çka mund të sjellë burgimin e tyre deri në 15 vjet. OBK-ja e ka dënuar përdorimin e tepërt të forcës kundër protestuesve.

Po çfarë kanë të përbashkëta, këto protesta në dy nga qytetet më të mëdha të botës? Në të dyja rastet, demonstruesit janë kundër asaj që ata e shohin si një regjim shtypës. Në Moskë, ata kundërshtojnë statuskuonë. Në Hong Kong, ata reagojnë nga frika e humbjes së lirive civile, dhe vënien de fakto nën kontrollin e Pekinit, që e shohin si një regjim shtypës.

Në të dy rastet, ojq të tilla si “Human Rights Ëatch”, mbështesin demonstruesit, ndërsa edhe mediat perëndimore tregojnë simpati për gjendjen e tyre të vështirë. Qeveritë në Rusi dhe Kinë, i kanë dënuar protestat, dhe akuzojnë institucionet e huaja, veçanërisht qeverinë amerikane, për nxitje të tyre.

Ndërkohë vetë këto “forca të huaja”, mohojnë me forcë çdo përfshirje. Protestuesit do të kenë ojq e tyre pas këtyre protestave, por nuk duhet të presin ndonjë gjë të madhe. Si Kina dhe Rusia, janë anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB, çka u jep atyre fuqinë të vënë veton ndaj çdo zgjidhjeje të mundshme, nëse situata rrotullohet më tej jashtë kontrollit.

Edhe SHBA-ja nuk do t’i mbështesë protestuesit me zë të lartë. Në dallim nga paraardhësit e tij, Xhorxh Ë.Bush dhe Barak Obama, presidenti aktual Donald Trump nuk ka në trupin e tij një “gjen” të vetëm pro-demokracisë. Përkundrazi, ai duket se i admiron autokratët si Putin, apo diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Çështja më e ngutshme me Kinën, lidhet me mosmarrëveshjet tregtare mes 2 vendeve, ndërsa me Rusinë tërheqja nga traktati i kontrollit të armëve INF. Dhe këto nuk lënë hapësirë, për të marrë shumë në konsideratë gjendjen e vështirë të demonstruesve, apo idealet e larta të demokracisë.

Britanikët, duhet të kishin një interes të madh mbi atë që ndodh me Ligjin Themeltar të Hong Kongut. Por mjerisht, është Brexit, ai që po dominon axhendën politike britanike. Premtimi i kryeministrit Boris Xhonson, për t’u larguar nga BE më 31 tetor, e vendos atë nën presion për të nënshkruar marrëveshje tregtare me vende si Kina. Prandaj Ligji Themeltar i Hong Kongut, është shqetësimi i tij më i fundit.

Atëherë çfarë do të ndodhë? Në një periudhë afatshkurtër, do të dominojë krahu i fortë i shtetit. Në planin afatgjatë, lëvizjet e fundit të protestës, kanë treguar se shumë prej qytetarëve të tyre, dëshirojnë të çlirohen nga kontrolli i tepërt i shtetit.

Kjo dëshirë për një liri më të madhe, nuk mund të shtypet me kalimin e kohës. Fryma e njeriut është elastike. Ne s’duhet të harrojmë se edhe Muri i Berlinit u shkatërrua pas 4 dekadave shtypjee. Betejat për demokraci, do të kenë kosto.

Le të shpresojmë që Hong Kongu dhe fryma e tij e sipërmarrjes të mbijetojë. Moska, është shumë më pak e brishtë. Ajo i mbijetoi perandorisë cariste, terrorit të madh të Stalinit, regjimeve komuniste dhe dy luftërave botërore. Nëse ka pasur ndonjëherë një të mbijetuar, ajo është Moska me bukurinë dhe shkëlqimin e saj.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment