Pse ëndrrat evropiane të vendeve ballkanike, duken të parakohshme


Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481
7 minute read
Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481

Nga Denis Macshane “The New European”

Njëzet vite parë parë, lufta e fundit në Evropë ishte në kulmin e saj. Serbia dhe Kosova, u mbërthyen në një luftë për pavarësi, ashtu si Britania me Irlandën në vitin 1920. Gjysma e popullsisë së Kosovës, kishte ikur për të gjetur strehë në Maqedoni dhe Shqipëri.

Mund të kishte vetëm një rezultat. Ashtu si pas vitit 1918, që i dha mbështetje irlandezëve, edhe në fund të viteve 1990, Uashingtonit i ishte sosur durimi me Serbinë. Avionët e NATO-s, i dhanë fund spastrimit etnik, dhe disa javë më vonë mori fund pushtimi serb i Kosovës.

Lufta, ishte fatkeqësia e fundit e një dekade fatkeqësish për Sllobodan Millosheviçin, i cili e filloi si president i Republikës Socialiste të Serbisë – më e madhja e 6 republikave të Jugosllavisë – dhe e përfundoi atë si president i një Jugosllavie shumë të zvogëluar, duke përfshirë vetëm Serbinë dhe Malin e Zi.

Po çfarë ndodhi më pas me vendet e ish-federatës? Në dallim nga vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, që tani janë pjesë e Bashkimit Evropian, shumica e vendeve më të vogla të Ballkanit Perëndimor, janë ende jashtë unionit.

Vetëm Sllovenia (e cila iu bashkua në vitin 2004) dhe Kroacia (2013), janë bërë anëtare të BE-së. Të tjerat janë të etura të ndjekin këtë rrugë, por janë lënë ende në pritje. Sigurisht, janë shënuar disa përparime.

Vitin e kaluar, udhëheqësit e Greqisë dhe Maqedonisë, arritën përfundimisht një zgjidhje të mosmarrëveshjes së vjetër mbi emrin e Maqedonisë. Përplasja gati 30-vjeçare Athinë-Shkup mbi emrin, mund të duket surreale për kryeqytetet evropiane në Perëndim, por është një emblemë e politikës emocionale të identitetit, që mbizotëron ende në shtetet e Ballkanit, të cilat  s’kanë qenë në gjendje të gjejnë rrugën e tyre evropiane.

Prandaj, zgjidhja e atij konflikti, është një shenjë e rëndësishme e heqjes së pengesave drejt anëtarësimit në BE. Për Serbinë, pengesa më e madhe është statusi i pazgjidhur i Kosovës, të cilën Beogradi zyrtarisht e konsideron një provincë të shkëputur përkohësisht, dhe që një ditë do të rikthehet në sundimin e saj.

Por edhe këtu ka disa shenja përparimi. Presidentët serbë dhe kosovarë, janë takuar vazhdimisht nën ndërmjetësimin e BE-së, në kërkim të një marrëveshje të madhe përfundimtare. Në një shenjë premtuese progresi, presidenti kosovar, Hashim Thaçi, doli me homologun serb Aleksandar Vuçiç, dhe foli për një shkëmbim territorial që përfshin rajonin më verior të Kosovës, mbi lumin Ibër, i cili është i pushtuar nga serbët edhe pse de jure nuk sundohet nga Beogradi, në këmbim të një rajoni me shumicë shqiptare të Serbisë jugore, ngjitur me Kosovën.

Megjithatë, Thaçi nuk ka votat e duhura në parlamentin e Kosovës, dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, është kundër këtij skenari. Vetë Vuçiç nuk është një kandidat ideal, për të arritur përparime në këtë çështje. Ai thotë ndonjeherë se mentori i tij i vjetër politik Millosheviç ishte një fatkeqësi për vendin, por këmbëngul gjithashtu, se Serbia nuk do ta njohë kurrë ekzistencën e një Kosove të pavarur dhe sovrane.

Ai është më dominues në politikën serbe, sesa Thaçi është në Kosovë, por Vuçiç është një populist nacionalist – diçka që nuk është e padëgjuar në Bashkimin Evropian, por që paraqet vështirësi shtesë, kur bëhet fjalë për sigurimin e anëtarësimit të Serbisë.

Si shumë shpesh në rajon, nuk është krejtësisht e qartë se kush po luan me kë. Në një kthesë të papritur muajin e kaluar, Donald Trump, kreu një ndërhyrje personale në bisedimet e vështira mes Serbisë dhe Kosovës, duke u bërë thirrje të dy liderëve të shfrytëzojnë mundësinë për një marrëveshje të përhershme, dhe duke u ofruar perspektivën e mbajtjes së një samiti të posacëm në Shtëpinë e Bardhë, për të ndihmuar në arritjen e saj.

Thaçi, i bezdisur nga politika e brendshme, do ta pranonte një ofertë të tillë, por Vuçiç -i ndodhur nën presion kundër lëshimeve mbi Kosovën – është zmbrapsur nga një zgjidhje përfundimtare. Përfshirja e Trump në Ballkan, duket sikur i ka bërë më pak urgjente çështjet e tjera, që janë zhvilluar nën një hapësirë ​​të ngadalshme por të qëndrueshme të BE-së. Ndërkohë, një lojtar kyç në rajon mbetet edhe presidenti rus Vladimir Putin.

Sigurisht, interesi i tij është në parandalimin e shteteve ballkanike që t’i afrohen BE-së dhe NATO-s. Verën e shkuar, qeveria greke dëboi 2 diplomatë ruse, lidhur me përpjekjet e Kremlinit për t’u dhënë ryshfet politikanëve grekë për të votuar kundër marrëveshjes së emrit.

Ndërhyrja ruse dështoi, pasi Cipras fitoi një votëbesim mbi çështjen në janar. Ndërkohë, Kremlini i ka ofruar këshilla dhe ndihmë ushtarake Serbisë, në një përpjekje për të nxitur më tej pakënaqësinë e serbëve ndaj ndërhyrjes perëndimore në vitet 1990. Në Serbi është ngritur një strukturë ruse, i ashtuquajturi “mision humanitar”, për të cilin diplomatët perëndimorë druhen se është një qendër spiunazhi.

Moska i ka dhënë Serbisë disa avionë të vjetër MIG me një çmim të arsyeshëm, ndaj Vuçiç mund të pretendojë tani se Serbia ka një forcë ajrore. Gazprom kontrollon pjesën më të madhe të tregut të gazit në Serbi; dhe Sputnik, agjencia propagandstike e Kremlinit, ka një bazë në Beograd për të përhapur më shpejt qëndrimet anti-BE.

Ndërkaq, diplomatët e Moskës po punojnë anembanë globit për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, dhe për të bindur vendet të mos e njohin diplomatikisht Prishtinën.

Nga ana e saj, Kosova ka investuar masivisht tek lobimi. Kryetari i ri i Kongresit Amerikan, demokrati Eliot Engel, ishte një mbështetës i fortë i Kosovës në luftën e tij të pavarësisë. Por nuk ka një përpjekje të ngjashme për mobilizimin e mbështetjes politike për Kosovën në BE, në Bruksel, dhe kryeqytetet kryesore evropiane.

Megjithatë, çuditërisht, nuk është presidenti i paparashikueshëm Trump apo edhe presidenti Putin, ai që shqetëson aktualisht më shumë liderët e Ballkanit. Përkundrazi, ai është presidenti francez Makron. Pak muaj pasi hyri në Pallatin Elize në vitin 2017, ai deklaroi:”BE do të duhet të zgjerohet me vendet e Ballkanit, sepse BE-ja jonë është akoma tërheqëse, dhe atmosfera e saj është një faktor kyç paqe dhe stabilitet në kontinentin tonë!”.

Por në majin e 2018-ës, qëndrimi i tij ndryshoi në mënyrë dramatike, teksa deklaroi se nuk ishte më “në favor të lëvizjes drejt zgjerimit, para se të ndodhte një reformë e vërtetë brenda Bashkimit Evropian”. Arsyeja reale e Makron, është se para zgjedhjeve parlamentare evropiane të majit të këtij viti, ai nuk dëshiron t’u japë kundërshtarëve një “armë” të fuqishme:aftësinë për ta përshkruar atë si një politikan, që synon anëtarësimin në union të vendeve të varfra dhe plot konflikte të Ballkanit.

Natyrisht, dy dekadat e fundit kanë qenë shumë më paqësore për rajonin. Por pyetja se ku po shkon saktësisht rajoni, mbetet pa përgjigje. Këto vende, gjeografikisht kaq afër zemrës së Evropës, mbeten të rrezikuara nga stanjacioni. Ëndrrat evropiane të Beogradit, Sarajevës, Prishtinës, Tiranës, Shkupit dhe Podgoricës duken të parakohshme.

Shënim:Denis MacShane, ish-minister i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Ballkanin në vitet 2001-2005.

Përktheu Alket Goce

Submit a comment