Pse Amerika po e humbet betejën kundër terrorizmit nacionalist të bardhë

Nga Vera Bergengruen & W.J.Hennigan “Time”

Kur mendoni për një terrorist, çfarë shihni? Për më shumë se një gjeneratë, imazhi që dominon në makthet e amerikanëve, ka ngjasuar me autorët e sulmeve të 11 shtatorit:një xhihadist islamik. Dhe jo një supremacist i bardhë 21-vjeçar, nga një periferi e zhvilluar e Dallasit.

Por nacionalistët e bardhë, kane qenë fytyra e terrorizmit në SHBA, shumë kohë para se të riut në El Paso që vrau më 3 gusht të paktën 22 njerëz në një supermarket. Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë, që nga 11 shtatori 2001, supremacistët e bardhë dhe ekstremistët e tjerë të ekstremit të djathtë, kanë qenë përgjegjës për gati 3 herë më shumë sulme në territorin amerikan sesa terroristët islamikë.

Gjatë viteve 2009-2018, ekstremi i djathtë ka qenë përgjegjës për 73 për qind të viktimave të lidhura me ekstremistët vendas, sipas një studimi të vitit 2019 nga Lidhja Anti-Shpifje. Dhe numri është në rritje. Më shumë njerëz – 49 – u vranë nga ekstremistët e ekstremit të djathtë në SHBA vitin e kaluar, sesa në çdo vit tjetër që nga sulmi më bombë në godinën federale në Oklahoma në vitin 1995. Sidoqoftë, drejtuesit e vendit nuk kanë arritur të përballen si duhet me këtë kërcënim.

Gjatë dekadës së kaluar, janë sabotuar përpjekje të shumta për të rifokusuar burimet federale mbi këtë dukuri. U financua ngritja e zyrave për të koordinuar një reagim ndërinstitucional ndaj ekstremizmit të krahut të djathtë, u përgatitën stafet, dhe më pas ato u shpërbënë përballë shqetësimeve ligjore, kushtetuese dhe politike.

Sot, zyrtarët e FBI thonë se vetëm 20 përqind e agjentëve të tij në terren, janë përqendruar në hetimet e terrorizimit të brendshëm. FBI ka paralajmëruar ndër vite mbi rritjen e kërcënimit nga terrorizimi i brendshëm, por nuk ka pasur mbështetje në Shtëpinë e Bardhë.

Për pasojë, drejtuesit e agjencisë, nuk i ka dhënë një përparësi historike dhunës së supremacizmit të bardhë, duke e klasifikuar për vite me radhë “eko-terrorizmin” si rrezikun kryesor, tha në muajin maj ish-agjenti special Majkëll German para Kongresit Amerikan.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, thonë se “kanceri” i nacionalizmit të bardhë është metastazuar në mediat sociale dhe qoshet e errëta të internetit, duke krijuar efektin “copycat” (pre dhe kopjo), në të cilin vrasësit aspirues frymëzojnë njëri-tjetrin.

Për të mbrojtur SHBA-në nga rreziku i grupeve terroriste islamike, qeveria federale ndërtoi një rrjet mbikëqyrje dhe inteligjence në mbarë botën, i aftë të parandalojë sulmet para se ato të ndodhin. Agjentëve federalë iu dhanë nga Kongresi kompetennca të gjera për të hetuarit të dyshuarit e huaj si terroristë.

Asnjë sistem i krahasueshëm, nuk ekziston për rastet e terrorizmit të brendshëm. Ai madje nuk është asnjë krim federal, çka i detyron prokurorët t’i akuzojnë të dyshuarit sipas ligjeve të krimit të urrejtjes. “Supremacia e bardhë, është sot një kërcënim më i madh se sa terrorizmi ndërkombëtar tani”- thotë Dejvid Hikton, një ish-prokuror amerikan, që drejton Institutin e Universitetit të Pitsburgut për Ligjin, Politikën dhe Sigurinë në internet.

“Ne jemi duke u ngrënë nga brenda”- thekson ai. Por Hikton thekson se prokurorët federalë, janë të kufizuar në mënyrën se si i gjykojnë rastet e terrorizimit të brendshëm. Pastaj ekziston problemi i një presidenti, retorika e të cilit duket se pasqyron, vërteton dhe frymëzon potencialisht atë të ekstremistëve të ekstremit të djathtë.

Terroristi i dyshuar në El Paso, tha se ai ishte i motivuar nga një “pushtim hispanik i perceptuar i Teksasit”. Sipas CNN, fushata e presidentit Trump, postoi rreth 2.200 reklama në Facebook, duke paralajmëruar një “pushtim” në kufi.

Ky është një term, që ai e përdor rregullisht në postimet në Twitter dhe intervista mediatike. “Njerëzit e urrejnë fjalën pushtim, por kjo është e vërteta. Është një pushtim i njerëzve, që merren me drogë dhe kriminelëve të tjerë”- tha Trump në muajin mars.

Pas sulmit në El Paso, afro 13 orë më vonë, Trump premtoi se do t’u japë autoriteteve federale “gjithçka që u duhet” për të luftuar terrorizmin e brendshëm. Por sjelljet e administrates Trump deri tani, nuk japin shumë shpresë.

Në ditët e para të presidencës së tij, Trump e shkriu zyrën që ishte fokusuar mbi ekstremizmin e dhunshëm në SHBA, dhe anuloi fondet ndaj organizatave që kundërshtojnë neo-nazistët dhe supremacistët e bardhë. Si president, Trump ka minimizuar në mënyrë të përsëritur kërcënimin e paraqitur nga supremacistët e bardhë. Ai fajësoi “të dyja palët” për dhunën në një miting të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias.

Në një komb, ku vrasjet masive ndodhin mesatarisht rreth 1 herë në ditë, është e lehtë të jesh cinik në lidhje me perspektivën e ndryshimit. Por pas sulmeve të El Paso dhe Dejton, ka shpresa sado të vogla, se diçka mund të lëvizë. Demokratët po premtojmë ta vendosin këtë çështje, në qendër të fushatës së tyre presidenciale të vitit 2020.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment